Në verilindje të Shqipërisë, mbuluar nga ujërat e liqenit të Fierzës fshihen rrënojat e një qyteti që dikur ishte plot jetë, Kukësi i Vjetër. Kukësi i Vjetër u përmbyt në vitet ’70, kur u ndërtua diga e hidrocentralit të Fierzës, një nga veprat më të mëdha energjetike në vend.
Sot, rrënojat e tij mbeten një dëshmi e gjallë e historisë dhe kulturës së zonës.
Por, për shkak të thatësirës dhe mungesës së reshjeve, dalja e rrënojave të Kukësit të Vjetër që janë të zhytura në ujë prej katër dekadash, po kthehet në një fenomen të përsëritur që merr vëmendjen e medieve, por edhe turistëve të huaj dhe vendas që zgjedhin për ta vizituar këtë qytet.
Për të mbërritur në Kukësin e Vjetër duhet të kalosh përmes Urës së re të Kukësit, një vepër që shërben si nyjë lidhëse mes dy anëve të liqenit dhe rrugës kombëtare. Të shumtë janë të huajt që ndalojnë aty për të realizuar foto dhe video të ndryshme të urës që bashkon brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit. Investimi prej 30 milionë dollarësh, e bën këtë urë njëherësh edhe një nyjë ekonomike që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Sapo kalon këtë urë të shfaqen brigjet nga ku mund shihen qartë gjurmë nga rrënojat e Kukësit të Vjetër, që tashmë kanë fituar një vlerë të veçantë turistike dhe historike.
Mungesa e reshjeve dhe thatësira e tejzgjatur, kanë ulur ndjeshëm nivelin e liqenit të Fierzës, gjë që ka nxjerrë në sipërfaqe disa prej rrënojave të Kukësit të Vjetër.
Sipas banorëve, këto brigje buzë liqenit janë kthyer edhe në një atraksion që merr vëmendjen e turistëve, sidomos atyre të huaj, të cilët ndalojnë për të dëgjuar rrëfimet e të moshuarve dhe për të “prekur” nga afër disa fakte dhe histori se si një qytet i tërë u zhduk nën ujë.
Rrënojat e Kukësit të Vjetër nuk janë thjesht mbetje guri, ato janë dëshmi e gjallë e historisë që na kujton se koha mund të ndryshojë gjithçka, por jo gjurmët e një qyteti.
Beslim Karakushi, 83 vjeç, është një prej ish-punonjësve të hidrocentralit të Fierzës që tregon se Kukësin e Vjetër e cilësonin si Myzeqeja e qytetit verior pasi ka qenë një vend prodhues.
“Unë kam punuar si montator, edhe në hidrocentral. Atëherë na trajtonin mirë, na jepnin një rrogë e gjysmë për vështirësi pune, pra punonim 8 orë, po paguheshim për 12 orë. Pas këtij hidrocentrali, në vitet ‘70 kemi pasur projekte për pesë hidrocentrale. Kukësin e Vjetër e kemi pasur si Myzeqe, sepse ka qenë një vend prodhues, mirëpo i erdhi koha që të vendosej nga qeveria atëherë për të “prodhuar” ujë”, rrëfen Karakushi.

Ai pohon se “përmbytja ka filluar që në vitin 1972, por rrënojat e Kukësit të Vjetër dalin për dy arsye: thatësira dhe shpenzimi i ujit për drita, nuk ka ujë rezervë. Dikur mendohej se ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do ta stabilizonte nivelin e ujit”.
Ai rrëfen se në lartësitë më të mëdha në sheshin e Kukësit të Vjetër kanë qenë bazamenti i bustit të Skënderbeut, rrënojat e hotel “Gjallicës”, mure shtëpish etj.
“Niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, duke nxjerrë kështu në sipërfaqe themelet e Kukësit të Vjetër. Disa magazina, që shërbenin në atë kohë për ndërmarrjet shtetërore, ura pranë Kullës së Lumes, që lidhte dikur Kukësin me Prizrenin, por edhe copëza ndërtesash përqark qytetit të vjetër të Kukësit, tashmë janë të dukshme”, shprehet Karakushi.
Ai pohon se së bashku me bashkëfshatarë të tjerë, kthehen shpesh për ta parë nga afër këtë fenomen, që i rikthen pas në vitet e punës në hidrocentral, e për të moshuarit në periudhën e fëmijërisë së kaluar aty.
83-vjeçari Karakushi tregon se disa nga pjesët më të ngritura të Kukësit të Vjetër kanë rënë në nivelin e poshtëm, siç e etiketojnë banorët këtë pjesë të liqenit.
Sipas Karakushit, ky fenomen shkaktohet si pasojë e mungesës së shirave, borës, ngrohja globale që ka ndryshuar temperaturat në çdo stinë.
Kjo faturohet në thatësirë dhe rënie të nivelit të liqenit të Fierzës, shumë pranë “pikës së vdekjes”, siç cilësohet kuota 252 metra nga Korporata Energjetike Shqiptare./rtsh/Katror.info













