Është 70 vjeçare, por mahnit me lëvizjet dhe teknikën e saj të vallëzimi. Amerikanja Janet Reineck, jetoi me shqiptarët e Kosovës për tetë vjet, midis vitit 1981 dhe 1997, fillimisht si antropologe, duke bërë hulumtime dhe më vonë si punonjëse e ndihmave humanitare.
Ajo asnjëherë nuk u largua nga përfshirja në kauza humanitare. Veçse vitet e fundit ka zgjedhur një formë shumë unike – vallëzimin.
Vallzo lokalisht, vepro globalisht – është motoja e organizatës që e themeloi në 2010, World Dance for Humanity në SHBA, e cila ndihmon njerëzit në nevojë.
Janet është rikthyer në Kosovë dhe ka themeluar World Dance Kosova. Vajza, gra të moshave e profesioneve të ndryshme nën udhëheqjen e Janet mblidhen tri herë në javë, për të eksploruar vallet e ndryshme. Të hyrat e mbledhura nga aktivitetet e këtij grupi përdoren për ndihma dhe projekte të ndryshme për komunitetet në nevojë, duke përfshirë ata që po kalojnë nëpër katastrofa.

Vetëm prej 2010 jam t’u u marrë me ndihma humanitare nëpërmes World Dance for Humanity, apo “Valle botërore për humanitet” Do të thotë, krejt paret që mbledhim me vallet, me këto orë, unë s’po marr kurrgjë edhe i mbledhim krejt paret dhe i çojmë ose në Ruanda ose në Ukrainë. Po punojmë në dy vende tash, do të thotë në Afrikë unë mbledh një gjysmë milion dollarë çdo vit për Ruanda edhe Ukrainën. Edhe kjo në pjesën e Kosovës, tash World Dance Kosova, po bashkëngjitet me paret në Amerikë që po mbledhim edhe tash e bashkojmë edhe bëjmë diçka me ato pare, ua ndërrojmë jetën e njerëzve që janë t’u vuajt ose prej varfërisë ose prej luftës.”
Grupi i Kosovës përbëhet nga gra të ndryshme, shqiptare e joshqiptare, të cilat takohen për të bërë diçka për vete dhe njëkohësisht bëhen pjesë aktive e shoqërisë kontributdhënese. E për Janet këto aktivitete janë edhe disiplinë, integrim e ndërveprim edhe me kultura tjera.

“Jam befasu drejt me ju kallëzu se në Amerikë kemi kriju këtë shoqatë prej 2010, do të thotë qe 14 vjet veç jemi tu i grumbullu gratë prej çdo moshe në Amerikë, prej moshës 22 – në 88. Bile e kam një grup 90 deri 100 vjeçare, çdo javë vallëzojmë, në Amerikë i kemi gjashtë ditë në javë, krejt. Veç kur jam ardhë këtu qe tre muaj tash këtu nuk kam ditë qysh do të jetë World Dance këtu, se nuk kam ditë që do të jetë si në Amerikë. Po përkundrazi ka ardhë shumë spontane, shumë organikisht, shumë lehtë janë inkuadru gratë. Për shembull, sonte kemi pas një grua të re që kurrë s’ka qenë këtu përpara edhe janë gra që zakonisht nuk njohin njëra-tjetrën, por vjen dikush me një shoqe ose një motër së bashku, por me tjerat nuk e kanë njoftë njëra -tjetrën përpara.”
Vallja shqiptare nuk është vetëm një pjesë e rëndësishme e jetës së Janet. Ajo ka filluar të pëlqehet edhe nga pjesëmarrëset tjera të huaja në Kosovë, siç ishte rasti edhe me francezen që iu bashkua grupit në këtë fillim shtator.

“Në fakt u regjistrova në këtë klasë që të mësoj vallet folklorike shqipe. Më pëlqen përzierja e tyre, por jam këtu për Vallen e Shotës. Mendoj shumica e vallëzimit folklorik është përreth komunitetit, ju gjithmonë do të mbani dorën e njëri -tjetrit, kështu që më pëlqen të jem në grup në sensin e komunitetit.’’
Ky angazhim në vallëzim dhe aktivizëm humanitar krijon te pjesëmarrëset një ndjenjë të veçantë solidariteti dhe siç shprehet Melisa Demiri, kjo po iu ndihmon edhe në shumë aspekte tjera.
Melisa Demiri

“S’ka dallime mes njerëzve, gjithë jemi njësoj dhe është njëfarë lloj që mund ta ndajmë një përvojë shumë të bukur në vallëzim, duke fillu prej shqiptarëve të Kosovës, shqiptarëve të Shqipërisë, po mendoj vallet, pastaj të ndryshmet që i kemi: afrikanë, indianë, e tjera e tjera. Unë thjesht jam për me vallëzu… Kam dëshirë me u marrë me këtë pjesë, është shumë e mirë për mendje dhe trup sidomos për mendjen. Po mendoj për shëndetin mendor, është shumë e rëndësishme dhe mendoj që krejt gratë duhet të kenë një aktivitet të tillë, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht.”
Janet e adhuron energjinë dhe shpirtin e valleve tradicionale, të cilat i ndien si një mënyrë për të shprehur lidhjen e saj të fortë me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.

“Kur jam ardhë në Kosovë në vitin 80-të, mas pari tani kam nis me jetu në Kosovë në 81-shin, edhe kam vallëzu gjithkund ku ka pas valle, kam vallëzu në Shota disa vjet, kam ardhë në prova edhe kam mësu krejt vallet e Shotës në atë gjeneratë, në 81-82-të, edhe kam mësu shumë prej shotës edhe nëpër dasmat kështu. Po unë shumë, jam befasu që vallet e Shqipërisë nuk kanë depërtu në Kosovë. Shumë çudi për mua, shumë çudi, se ka valle shumë të bukura prej lart, prej Tropojës deri në Sarandë ka valle shumë të bukura, muzikë të ndryshme, valle të ndryshme edhe kënaqemi me ato valle. Edhe muzikën toske e pëlqej shumë… Në terren, në vendet më rurale, në mal ka valle më interesante, po edhe unë po du me i inkuadru, në qoftë se mundemi ne me i inkuadru me depërtu nëpër dasmat e Kosovës, kur bëhet sezona e dasmave, ato që janë në hotel e bëjnë tri-katër orë një valle, kur ka tjetër valle tashmë, ndoshta ne mundemi me depërtu edhe me zgjeru kulturën e valleve te shqiptarët e Kosovës.”
Janet e ruajti Kosovën në zemrën e saj, pavarësisht se jetoi këtu vetëm tetë vjet. Për të lënë gjurmë për atë kohë, ajo botoi librin etnografik “Një Amerikane në Kosovë”, i cili flet në detaje për jetesën në disa vise në Kosovë në periudhën e viteve ‘80’ dhe ’90.

“Nuk kam shkru një libër me botu një libër, veç kam nis me i shkru kujtimet e mira të Kosovës. Bash kur ka qenë incidenti i 11 shtatorit kam nis me shkru, nuk kam dasht me humb atë eksperiencë që kam pas në Kosovë, kam shkru veç për familjen time. Eventualisht i kam botu edhe tash njerëzit po e lexojnë në telefon, do të thotë atë libër munden me e lexu edhe në shqip ose në anglisht, edhe në uebsite-in time tim janetreineck.com. Aty e ke librin pa para, me lexu krejt librin, se qysh ka qenë jeta në Kosovë para luftës, edhe qysh ka qenë në vitin 80-të edhe në vitin 90-të. Njerëz që nuk kanë përjetu qato vite, edhe është një përshkrim qysh jeta ime ka qenë nëpër katunde edhe çka kemi hekë këtu, çka kemi mësu këtu prej shqiptarëve.”

E në fund nuk pati se si të kalojë pa një mesazh të fuqishëm, fjalë të cilat duket se e kanë udhëhequr Janet tërë jetën.
“Jemi në një vend që është i lirë, që është në paqe, që nuk ka luftë, kemi shëndet, kemi mundësi me vallëzu, do të thotë me kanë me një farë mendësie falenderimi. Edhe mos me kritiku njëri-tjetrin ”get over yourself and do something for the world”, ajo është moto e World Dance. Do thotë, mos mendo fort për veten, po bëni diçka për botën, për njerëz që vuajnë nëpër botë.
Rasti i Janet na tregon se përkushtimi për aktivizëm dhe kauza humanitare shkon përtej kufijve, etnisë, gjinisë apo racës – duke e vënën njeriun në rend të parë. Dhe madje duke e bërë këtë përmes formës që më së lehti na disponon – vallëzimit. /Katror.info
Edicionin e plotë #69 e gjeni këtu!

Përgatiti:
