Ashtu siç Ambasadorja e Vullnetit të Mirë, Elvana Shala i vuri emrin, ngjarja kulturore “Ritmi i Barazisë” përçoi të hënën mesazhin që nuk ka dallime mes njëri-tjetrit, në një kohë kur të drejtat e njeriut shpesh sfidohen. Muzika dhe arti skenik që karakterizuan mbrëmjen, e cila synoi ngritjen e zërit për të drejta të barabarta, përçoi gjithashtu mesazhin se arti u jep zë atyre që janë të heshtur e i bën të dukshme ato histori që duhen treguar.
E kush më mirë se Ambasadorja Elvana Shala, që e ka ndjerë në lëkurën e saj pabarazinë, e di se lufta për të drejtat e njeriut nuk është vetëm një betejë ligjore ose politike, por, është gjithashtu një betejë kulturore dhe emocionale për të cilën duhet punuar çdo ditë.
“Republika e Kosovës, një shtet i ri në skenën ndërkombëtare, ka bërë hapa të mëdhenj në drejtimin e promovimit dhe mbrojtjes së këtyre të drejtave, por sfidat mbeten ende të shumta, historia jonë e mbushur me sfida dhe vuajtje na ka dhënë një mësim të rëndësishëm, se respektimi i dinjitetit njerëzor është shtylla mbi të cilën ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e barabartë,” tha ajo.

E në këtë rrugëtim kyç, sipas saj nevojitet një angazhim më i madh për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të siguruar që çdo individ të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi, duke filluar nga institucionet, shoqëria civile dhe qytetarët.
“Por, ndryshimi fillon nga ne secili prej nesh ka një rol për të luajtur në këtë proces, të respektojmë njëri-tjetrin, të ngremë zërin kundër padrejtësive dhe të punojmë për një të ardhme, ku çdo qytetar i Kosovës duhet të ndiejë se të drejtat e tij janë të mbrojtura dhe të garantuara,” shtoi ajo.

Ambasadorja e Vullnetit të mirë, vuri theksin mbi atë se jehona e këngës dhe arti skenik janë vulë e asaj për të cilën ajo lufton çdo ditë, drejtësi, integrim dhe barazi për të gjithë. E për t’i dhënë peshë më të madhe ngjarjes, ambasadorja ftoi në hapje krerët e institucioneve qendrore e lokale, si dhe ambasadorë të akredituar në vend.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dha mesazhin se barazia është e drejtë e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme, që të kemi demokraci të shëndetshme.
“Një shoqëri e drejtë ndërtohet mbi themelet e gjithëpërfshirjes, në këtë datë ndërmjet Ditës Ndërkombëtare të Personave me aftësi të kufizuar edhe Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, ky organizim na përkujton se, përtej dallimeve tona, ne ndajmë një dëshirë universale, të jetojmë me dinjitet,” tha Kurti.

Pjesë e ngjarjes ishte edhe nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, sipas së cilës kjo ngjarje na fton në reflektim, mbi fuqinë që posedon shoqëria, për të treguar se respektimi i barazisë në shoqëri është betejë e përhershme e të gjithë neve dhe kërkon angazhim, po ashtu edhe guxim dhe avokim të përhershëm, se arti dhe muzika janë gjuhë universale, e muzika është zëri i barazisë.

“Barazia dhe progresi i të gjitha grupeve në Kosovë është objektiv i përhershëm i institucioneve tona dhe shoqërisë sonë, dhe ne si institucione vazhdimisht mësojmë nga ajo se si mund ta avancojmë legjislacionin për t’i përshtatur nevojat dhe për ta krijuar një ambient ku mundësohet dhe promovohet gjithëpërfshirja,” tha ajo.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi se muzika dhe arti ngjizen për të ndrtuar ura dhe t’i ndriçojnë shtigjet e barazisë.

“Në këtë sallë, përmes artit muzikore skenik do ta krijojmë atë që organizatorja e mrekullueshme, zonja Elvana Shala, emërtoi “Ritmi i barazisë,” e që bashkon divergjencat e përvojave tona njerëzore në një simfoni të përbashkët respekti, dinjiteti e mirëkuptimi, prandaj, si kryetar i kryeqytetit, ndjej krenari që mbështesin këtë ngjarje që m’i shëron vlerat tona më të larta përfshirjen, drejtësinë dhe barazinë,” tha ai.
Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, e nisi fjalimin e tij duke treguar se sa e rëndësishme është gjithëpërfshirja në shoqëri. Ai tregoi se si në një emision për talentë ne Britani të Madhe, pas shumë kohësh, një person me nevoja të veçanta arriti të kualifikohet në gjysmëfinale. Dhe kjo sipas tij tregon për forcën dhe vullnetin që duhet admiruar te personat me aftësi të kufizuara.

“Ndjehem shumë i nderuar që jam këtu, jo vetëm si përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar, por edhe i gjithë komunitetit ndërkombëtar dhe diplomatik që ndan të njëjtat vlera dhe aspiratat drejt tyre. Vlerat që po festojmë dhe promovojmë në këtë event janë një privilegj për t’u ndarë dhe frymëzim për të gjithë ne. Jam krenar të them që si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe në mesin e kolegëve tanë ndërkombëtarë, kemi një angazhim të fortë për përfshirjen dhe barazinë, që janë themelet e eventeve si ky. Çdo ditë mësojmë, rritemi dhe frymëzohemi nga përfshirja që na bashkon,” përfundoi ai.
Elvana Shala, që nga viti 2014 është ndër pesë ambasadoret e vetme në botë me mandat të dytë, ku ka përfaqësuar Kosovën në fushën e diplomacisë publike kudo në botë, përfshirë edhe në vendet apo organizatat që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Shala ka arritur që të thyejë shumë barriera dhe paragjykime për kategoritë e margjinalizuara pa dallim, ndërsa zëri i saj është dëgjuar brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Ndërsa gjysmën e parë të vitit, Elvana ia kushton përfaqësimit të Kosovës në botë, në pjesën e dytë angazhohet të sjellë për cdo vit evente të ndryshme për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut si dhe Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, siç ishte edhe Ritmi I Barazisë./Katror.info
Përgatiti:
