I pajisur me një kamerë të madhe filmi dhe shpesh i veshur me veshje sportive, fotografi nga Seuli, Kim Seunggu, ka kaluar gati 15 vjet duke dokumentuar esencën e asaj që ai e quan ‘kulturë e kohës së lirë’, pushime, relaksim pranë pishinave dhe grumbullime të përbashkëta në Korenë e Jugut.
Fokusi i serisë së tij të vazhdueshme, “Better Days” bëhet edhe më i spikatur në një vend që renditet i katërti globalisht për orët më të gjata të punës dhe ku fenomeni i njohur si “gwarosa” [vdekja nga mbingarkesa në punë] besohet se merr shumë jetë çdo vit.
Në vitin 2023, qeveria e Koresë së Jugut u detyrua të tërhiqej nga planet për të rritur javën maksimale të punës nga 52 në 69 orë, pas një reagimi të fortë nga punëtorët e brezave Millennial dhe Gen Z. Ky propozim synonte të adresonte mungesën e fuqisë punëtore të shkaktuar nga rënia e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë.
Sipas Kim, kultura e kohës së lirë në Korenë e Jugut reflekton një dëshirë të madhe për t’i shpëtuar presioneve intensive të punës dhe stilit të jetesës me ritme të shpejta, shkruan CNN, përcjell Katror.info.

Kim, 45 vjeç, filloi të dokumentonte këto skena në vitin 2010, gjatë studimeve të tij pasuniversitare. Projekti i tij e ka çuar në vende të ndryshme si pishina popullore Jangheung Hanok, e njohur për ujin mineral dhe sfondin e saj tradicional korean; Kodrën e Azaleve Mbretërore, të famshme për lulet e saj të çelura; Parkun Mulbit, i cili përfshin shtigje të qeta natyrore; si dhe disa kampe në parqe të ndryshme qytetesh në të gjithë vendin.
Që fëmijë, Kim vëzhgonte ndërveprimet e gjalla të njerëzve në kohën e lirë.
Me kalimin e viteve, ndjeu një dëshirë të madhe për t’i dokumentuar ato.
“Ishte si të zbuloja një magjepsje të re me këto skena,” tha ai për CNN-it gjatë një interviste telefonike.
Seria e fotografive dhe njohja ndërkombëtare
Seria e fotografive të Kim ka marrë vlerësime kritike, duke i fituar atij Grand Prix në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë në Tokio dhe një nominim në listën e shkurtër për Çmimin e Fotografisë BBA. Veprat e tij janë ekspozuar në muze të shquar si Muzeu i Artit Modern në Gyeonggi dhe Muzeu i Artit në Seul.
Libri i tij i ardhshëm, “Better Days” përmban gati 50 fotografi nga seria dhe eksploron më thellë temat e komunitetit, rekreacionit dhe balancës mes punës dhe jetës.
Përzgjedhja e lokacioneve dhe pasqyra e përditshmërisë
Në shumë prej fotografive të Kim, qytetet e zymta shfaqen në sfond, ndërsa aktivitetet e gjalla të kohës së lirë ndodhin në plan të parë, duke krijuar një kontrast të fortë mes presioneve të jetës së përditshme dhe momenteve të kënaqësisë.
Për shembull, në fotografinë e tij të pishinës Hanok, Kim sjell një pishinë plot jetë të rrethuar nga arkitektura tradicionale koreane me struktura druri dhe çati të harkuara, duke treguar një dialog mes të kaluarës dhe së tashmes. Fëmijët luajnë në ujë, ndërsa prindërit relaksohen pranë pishinës me veshje të gjalla noti, dhe disa të tjerë pluskojnë mbi goma fryrëse.
Në një tjetër fotografi nga Kodra e Azaleve Mbretërore, lulet rozë mbizotërojnë peizazhin, duke reflektuar rëndësinë e festivaleve sezonale në Kore.
Pasqyrimi i jetës bashkëkohore
Ashtu si fotografët e shekullit të 20-të që kapnin momente kalimtare të kohës së tyre, Kim, i cili frymëzohet nga fotografët amerikanë të ngjyrave si Richard Misrach dhe Joel Sternfeld, ka dalë si një kronist i jetës moderne koreane. Ai sjell shtresa të ndërlikuara të gëzimit dhe kompleksitetit që e përcaktojnë këtë jetë.
Vendndodhjet e zgjedhura nga Kim për serinë ‘Better Days’ shpesh përqendrohen tek klasa e mesme, në vend që të pasqyrojnë shtresat e larta të shoqërisë koreane.
“Njerëzit e klasës së lartë priren të qëndrojnë në vende luksoze dhe ekskluzive që janë të paarritshme, si p.sh. në resorte apo hotele të shtrenjta, duke e bërë të vështirë vëzhgimin nga afër të kulturës së tyre,” tha Kim, duke shtuar: “Unë besoj se kultura që shijohet nga shumica përfaqëson më mirë shoqërinë koreane.”
Duke iu referuar ndikimit historik të dinastisë Joseon (shek. XIV–XIX), Kim e krahasoi punën e tij me pikturat e zhanrit të asaj kohe, të cilat përshkruanin jetën e njerëzve të zakonshëm, ashtu si piktorët evropianë të zhanrit përqendroheshin te festat lokale dhe jeta e fshatarëve.
“Përshkrime të tilla zbulojnë shumë për periudhën përkatëse, pasi jeta e klasës së lartë shpesh fshihet pas shtresave të luksit, ndërsa kultura e hapur e njerëzve të zakonshëm pasqyron një folklor modern,” shpjegoi ai.
Zbulimi i rezistencës kulturore
Për të kuptuar më mirë kulturën unike të kohës së lirë në Korenë e Jugut, Kim iu referua sfondit historik veçanërisht periudhave të stagnimit kulturor që pasuan pushtimin japonez dhe Luftën Koreane.
“Në vitet ’80 dhe ’90, shtytja drejt reformave politike veçanërisht pas kryengritjes demokratike të vitit 1987 nxiti një dëshirë të madhe për liri dhe demokraci.
Kjo çoi në pranimin e kulturave perëndimore nga Amerika dhe Europa,” shpjegoi ai.
Kim shtoi se ndjekja e individualizmit në Korenë e Jugut bashkëjeton me një ndjenjë të fortë komuniteti, të rrënjosur në vlerat konfucianiste, dhe një dëshirë kolektive për liri që rrjedh nga pushtimi japonez dhe regjimet diktatoriale.
Si rezultat, Kim tha se shoqëria koreanojugore u shndërrua në atë që ai e quan një ‘komunitet fleksibil’ që ndërthur individualizmin me besimin e ndërsjellë një vend ku grumbullimet mes të panjohurve konsiderohen të zakonshme dhe të sigurta.
Fotografitë e Kim-it shërbejnë si një dëshmi për një shoqëri që, ndërsa përballet me presionet e orëve të gjata të punës dhe modernizimit të shpejtë, gjen momente gëzimi dhe lidhjeje.
Ai thekson se puna e tij nuk trajton drejtpërdrejt çështje politike. Megjithatë, kur u pyet për sfidat me të cilat përballet Koreja e Jugut sot nga trazirat e fundit politike deri te kriza demografike në rritje fotografi i përshkroi ‘kontradiktat’ e shoqërisë si ‘dhimbje në rritjeje’ në rrugën drejt një demokracie më të zhvilluar dhe një bote më të mirë.
Ai i sheh këto ide si pjesë të ‘Better Days’ duke shtuar: “Shoqëria koreane ka kapërcyer shumë sfida përmes fuqisë së qytetarëve të saj, dhe pasioni i reflektuar në kulturën tonë të kohës së lirë tregon potencialin për përmirësime.”
Orët e gjata të punës dhe pushimet e shkurtra kanë bërë që shumë koreanë të jetojnë pranë qendrave urbane, me mbi 80% të popullsisë që jeton në qytete.
Brenda fotografive të Kim-it qëndron një dualitet intrigues, një tension midis peizazhit të shtypës të qytetit dhe aktiviteteve të gjalla të kohës së lirë të banorëve të tij.
Ai përdor shpesh ngjyra të ndezura, kënde të larta dhe pikëvështrime nga distanca, duke kapur një kontekst më të gjerë të ndërveprimeve sociale.
“Njerëzit mund t’i shohin orët e gjata dhe pushimet e shkurtra në Kore në mënyrë negative, por unë i shoh si një reflektim të individëve që përshtaten dhe kapërcejnë sfidat, duke treguar përkushtimin e tyre,” tha ai.
“Ne i pranojmë këto kontradikta deri në një farë mase, dhe brenda tyre qëndron ndjekja e kënaqësisë në kohën e lirë. Ky optimizëm është i dukshëm në kulturën e kohës së lirë në Kore, të cilën u përpoqa ta shpreh përmes ekspozimeve të ngrohta dhe të ndritshme” tha Kim.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e procesit të tij krijues dhe përkushtimin ndaj ‘fotografisë së ngadaltë’, e cila kërkon durim, pasi shpesh kalon orë të tëra duke vëzhguar para se të realizojë një imazh të vetëm.
Në mënyrë disi ironike, dokumentimi i tij mbi kulturën në ndryshim të kohës së lirë në Kore përmban një etikë të fortë pune. /Katror.info
Përgatiti:
