Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës, po bëjnë përgatitjet e nevojshme për nisjen e projektit “Hendbolli në Shkolla”. Ky projekt ka për qëllim rritjen e numrit të të rinjve që angazhohen në hendboll dhe zgjerimin e këtij sporti në shkolla, shkruan FHK, pëcjell Katror.info
Si pjesë e këtij procesi, të shtunën dhe të dielën do të mbahet një seminar për trajnerët e hendbollit të grupeve të reja moshe dhe për mësuesit e Edukatës Fizike që do të jenë pjesë e projektit. Seminari zhvillohet në bashkëpunim me Federatën e Hendbollit të Zvicrës, me të cilën është nënshkruar një marrëveshje e rëndësishme për bashkëpunim. Ekspertët zviceranë të mini-hendbollit, David Mattes dhe Katja Gotz, do të mbajnë ligjërata dhe do të udhëhoqen seanca teorike dhe praktike gjatë seminarit.
Seminari do të zhvillohet në shkollën fillore “Xheladin Gashi – Plaku” në Komoran, duke filluar nga ora 9:15 e mëngjesit të shtunën, dhe do të përfundojë në orën 17:00. Seancat do të vijojnë të dielën nga ora 9:00 deri në orën 13:30.
FHK është e angazhuar plotësisht në promovimin e hendbollit në shkolla, duke besuar se ky projekt do të kontribuojë në rritjen e masivitetit të këtij sporti dhe përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në aktivitete sportive./Katror.info