DokuFest ka hapur aplikimet për edicionin e katërt të kampit ndërkulturor “Stories We Tell”, i cili u dedikohet të rinjve të moshës 18-25 vjeç nga të gjitha komunitetet në Kosovë, shkruan Katror.info.
Ky projekt, i mbështetur nga iniciativa SMART Balkans dhe i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, synon të eksplorojë fuqinë e rrëfimit të tregimeve në sfidimin e stereotipeve, ndërtimin e mirëkuptimit dhe nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri.
Gjatë kampit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë me të rinj nga komunitete të ndryshme dhe të zhvillojnë aftësi në fushën e filmit dhe rrëfimit, përmes punëtorive, ligjëratave dhe vizitave kulturore. Përveç zhvillimit të shkathtësive të reja, kampi synon të krijojë lidhje të rëndësishme mes pjesëmarrësve.
Kampi do të mbahet nga 18 deri më 23 shkurt 2025, me mbulimin e plotë të shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit. Afati i fundit për aplikim është 10 shkurti 2025./Katror.info