Dr. Venera Berisha-Muharremi, një nga emrat më të njohur në fushën e endokrinologjisë dhe diabetologjisë, ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar për punën e saj shkencore.
Ajo ka njoftuar se është ftuar të mbajë një ligjëratë në Kongresin Global për Diabet dhe Endokrinologji në Dubai, pas publikimit të hukumtimit të saj në Angli mbi komunikimin hormonal mes eshtrave, insulinës dhe indit dhjamor te obeziteti.
“Edhe një ftesë për të mbajtë ligjëratë përtej Evropës. Kësaj radhe në Kongresin Global për Diabet dhe Endokrinologji në Dubai! Ftesa erdhi pas publikimit tim në Angli për komunikimin hormonal në mes të eshtrave, insulinës dhe indit dhjamorë te obeziteti”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Ftesa për të folur në një kongres të tillë global është një dëshmi e qartë e ndikimit në rritje që kërkimi shkencor shqiptar po ushtron në fushën e mjekësisë dhe endokrinologjisë në nivel ndërkombëtar.
Në këtë kongres, Dr. Berisha – Muharremi do të mbajë një ligjëratë mbi temën “Perspective Chapter: Crosstalk between Bone Metabolism and Insulin Resistance”, ku do të trajtojë rolin hormonal të eshtrave përmes Osteokalcinës (substancë e prodhuar në eshtra), në rregullim të nivelit të sheqerit tek njerëzit me Diabet tip 2, ndër rezultatet e studimit të doktoraturës së saj në Rebro – Qendrën Klinike Universitare të Zagrebit.
Viti ka nisur mbarë për dr Berisha Muharremi, meqë ajo qysh në fillim të vitit u ftua si ligjëruese në Osaka të Japonisë në maj të këtij viti për të ligjëruar temën e Photobimodulimit apo Laserit te gjëndra tiroide!
Përveçse një shkencëtare e përkushtuar, Dr. Berisha – Muharremi tashmë po ndihmon edhe një brez të ri studiuesish që të zhvillojnë më tej këtë fushë premtuese.
Ky sukses shënon një tjetër arritje për shkencën kosovare, duke dëshmuar se puna e palodhur, përkushtimi dhe inovacioni në kërkimin shkencor po kapërcejnë kufijtë dhe po bëhen pjesë e skenës ndërkombëtare.
Prof. Asoc. Dr. Venera Berisha-Muharremi është themeluese e Poliklinikës Endomedica në Prishtinë dhe profesoresha e parë specialiste e Mjekësisë Interne, Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës.
Ajo ka doktoruar në Universitetin e Zagrebit dhe ka ndjekur trajnime në institucione prestigjioze si Universiteti i Oksfordit, Harvardit dhe Perugia-s. Ish-drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK (2018-2021), Dr. Berisha-Muharremi ka sjellë risitë më të fundit në trajtimin e sëmundjeve endokrine, përfshirë terapinë me laser për tiroiditin Hashimoto, duke e vendosur Kosovën mes pesë qendrave botërore që ofrojnë këtë trajtim.
Ajo ka një karrierë të pasur me botime shkencore dhe paraqitje në konferenca ndërkombëtare, duke përfaqësuar rregullisht Kosovën në fushën e endokrinologjisë, diabetit dhe obezitetit.
Përveç angazhimeve të saj profesionale, ajo është nënë e dy fëmijëve dhe një udhëtare pasionante. /Katror.info
Përgatiti:
