Ritet e Ditës së Verës e kanë zanafillën që në lashtësi. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diane dhe kultit të diellit, por edhe sot ato praktikohen për një jetë më të mirë të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati.
Në qytete të ndryshme të vendit, ritet trajtohen dhe janë ndryshe, por në thelb festohet për përtëritjen e natyrës, zgjatjen e ditës dhe mbarësinë e të mbjellave. Elbasani është qyteti ku festimet e kësaj dite janë më të përqëndruara, shkruan Tirana Post.
Faza e parë është faza përgatitore që nis me grumbullimin e zaireteve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë është mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe në fund pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit.
Porta e shtëpisë apo dera zbukurohet me lule dhe lastarë te gjelbër, të cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës.

Ushqime tipike për kremtimin e kësaj dite janë: ballokumja, kabunia, misrat e zier, tava me pistil e Elbasanit, përgjithësisht gatime me drithëra që simbolizojnë bereqetin.
Zjarri që ndizet më 13 mars ka domethënie purifikuese për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.
Verorja është një simbol i kësaj dite që bashkon shumë zona të vendit. Vendoset mëngjesin e 14 marsit dhe hiqet më 22 mars. Varet mbi degën e një trëndafili ose shege që ta marrë dallëndyshja.
Në disa zona si Berati apo Narta, festimet e Ditës së Verë shoqërohen edhe me shfaqje karnavalesh. Në disa zona të tjera, fëmijët e fshatit ose të lagjes, mblidhen dhe trokasin në çdo shtëpi për të kërkuar vezë të zierë dhe ëmbëlsira.
Nga viti në vit, festimeve të kësaj dite u hiqen dhe u shtohen shumë gjëra por në thelb ritet që evokojnë përtëritjen e natyrës e trupit të njeriut, ngrohjen e motit, mbarësinë e begatinë, mbeten të njëjta. /Katror.info
Përgatiti:
