Lorjtari i bankës rezervë në ligën e pestë tek Kombëtarja zvicerane.
Milaim Rama e ka dhënë një intervistë të gjatë dhe mjaft interesante për mediumin e madh zviceran “Blick”, të cilit ia ka treguar përrallën e tij futbollistike, duke filluar nga lufta në vendin e tij – Kosovë, tek ambientimi i tij në Zvicër, sukseset atje e deri tek shqiponja dykrenore, të cilën thotë se do ta formonte me duar edhe ai, përcjell “Gazeta Express”.

Ndonëse e kishte menduar se gjithë jetën do ta kalonte në Kosovë ky s’ishte rasti për Milaimin.
“Në atë kohë, mendoja se do ta kaloja krejt jetën time në vendin tim të origjinës. Nuk e kam menduar kurrë që një ditë do të bëhesha zviceran dhe një futbollist profesionist”, tregon Milaimi.
Si çdo kosovar, u rrit në një fshat të vogël të quajtur Zhiti, i cili kishte vetëm disa qindra shtëpi.
“Krejt të afërmit e mi jetonin aty. Kur kthehesha në shtëpi nga shkolla luaja futboll ose i ruaja buajt”, rrëfen ai.
Kur u pyet nëse ka pasur fushë të futbollit në vendlindje ai thotë se ishte e improvizuar.
“Po, në një kodër të vogël mbi fshat. Por, vendi ishte i vogël, me kushte të këqija, kishte veç tokë me dhe, nganjëherë mungonin edhe portat”, shtoi ai.
Po kush ishte idhull i futbollit sa ishte fëmijë?
“Marco van Basten i Milanit dhe Fadil Vokrri i FC Prishtina. Në atë kohë, Prishtina luante në ligën e fortë jugosllave. Për ne fëmijët ishte gjithmonë një moment kulmor kur shkonim për ta parë një ndeshje të Prishtinës në stadium dhe që mund ta shihnim të admiruarin tonë, sulmuesin Vokrri në një stadium të stërmbushur dhe të elektrizuar”, shtoi Milaimi, përcjell “Gazeta Express.
Rama iu bashkua futbollit zviceran në vitin 1994.
“Ishte viti 1994. Në një pikë e kam zbuluar fushën e futbollit Lanzenen në Interaken. Një vend i bukur, lëndinë e gjelbër. Më pas mendova: dua të vrapoj edhe këtu. Më pas, kam shkuar në klub me xhaxhain tim dhe i pyeta nëse mund të luaja”, rrëfen Rama.

Ndërsa vetëm tri vjet më pas nisi të luante për klubin e madh, FC Thun.
“Kishte persona që besonin në mua dhe gjithmonë kam qenë mjaft ambicioz dhe dëshiroja të arrija diçka. Pas një viti e gjysmë në ligën e pestë, arrita në ligën e dytë e më pas edhe në atë të parë. Dhe, në një pikë, FC Thun më thirri për prova, me kërkesë ta trajnerit Andy Egli. E binda atë dhe kalova në FC Thun në vitin 1997”, tregon Milaimi.
Milaimi gjithashtu njihet për gola të shënuar në ligën elitare.
“Kur e shikoj sot listën e golashënuesve të sezonit 2002/03, është çmenduri: 1. Richard Nunez, 27 gola, 2. Christian Gimenez e Milaim Rama, 20 gola secili. Pa FC Thun nuk do të ishte Milaim Rama, por edhe pa Ramën nuk do të ishte një histori e suksesit e FC Thunit”, thotë ai.
Gjithashtu ai njihet si shqiptari i parë i lindur në Kosovë që ke luajtur në Kombëtaren zvicerane.
“Ishte e papërshkrueshme dhe e vështirë ta përshkruash me fjalë edhe sot. Është gjëja më e bukur që e kam arritur. Më është mundësuar që ta vishja fanellën e Kombëtares shtatë herë. Shumë lojtarë e ëndërronin, por unë ia dola dhe e provova”, rrëfehet Milaimi.

Në vitin 2004 u bë edhe lojtari i parë shqiptar nga Kosova që merr pjesë në një Kampionat Evropian.
“Krejt Kosova ishte krenare me mua në atë kohë. Ishte si të ishe në një përrallë. Një djalosh nga Kosova ka ardhur në Zvicër, është bërë lojtar i Kombëtares, ka luajtur disa minuta në Evropian dhe ka kaluar në histori. Thjesht, e jashtëzakonshme”, tregon ai, përcjell “Gazeta Express”.
Në vitin 2018, pasardhësit e Milaimit në Kombëtare, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, shkaktuan polemika me shqiponjën me dy krerë. Po si e pa Milaimin këtë gjest të tyre?
“Jo ishte vetëm një gjest, asgjë më shumë. Edhe unë do ta bëja shqiponjën dykrenore”,
Marrë nga Gazeta Express./Katror.info