Biseda telefonike e presidentit rus Vladimir Putin me presidentin amerikan Donald Trump shkoi “shumë mirë”, tha një burim rus me njohuri për thirrjen për CNN.
Thirrja tani ka përfunduar, konfirmoi burimi.
Sipas CNN, rezultati i kësaj bisede do të jetë një test kyç për të parë nëse Trump – i cili që nga thirrja e muajit të kaluar ka përsëritur kryesisht pikëpamjet e Putinit për luftën – mund ta përmbushë premtimin e tij elektoral për t’i dhënë fund konfliktit. Gjithashtu, do të tregojë nëse afrimiteti i tij me Rusinë ka sjellë ndonjë përfitim.
Sipas burimeve të njohura me bisedimet, një nga prioritetet kryesore të thirrjes ishte sigurimi i një marrëveshjeje mbi lëshimet që Rusia mund të pranojë të bëjë – përfshirë edhe mundësinë e tërheqjes së trupave nga territoret që ka pushtuar në tre vitet e fundit që nga nisja e agresionit në Ukrainë.
Vetë Trump e la të kuptohej një gjë të tillë gjatë një bisede me gazetarët në bordin e Air Force One të dielën, duke thënë se negociatorët amerikanë kanë diskutuar për “ndarjen e disa pasurive.”
I dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev, tha në një postim në X se “bota është bërë një vend shumë më i sigurt sot” për shkak të udhëheqjes së Putinit dhe Trumpit. Kremlini nuk ka lëshuar ende një koment zyrtar mbi telefonatën.
Më herët, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, tha se telefonata “po shkonte mirë” në një postim në mediat sociale. /Katror.info
Përgatiti:
