Thrilleri aksion, Heart of Stone, është aktualisht një hit në mesin e shikuesve të Netflix. Filmi u publikua më 11 gusht në atë platformë transmetimi dhe Netflix njoftoi se thriller ka 33.1 milionë orë shikime. Aktualisht është filmi më i ndjekur në Netflix.
Filmi është drejtuar nga Tom Harper, i cili ka punuar në serialin Peaky Blinders, ndërsa skenari është shkruar nga Greg Rucka dhe Allison Schroeder. Në film, Gal Gadot luan Rachel Stone, një hakere që punon për Shërbimin e Inteligjencës Sekrete (MI6), dhe ekipi i saj përbëhet nga agjentët Parker (Jamie Dornan), Yang (Jing Lucy) dhe Bailey (Paul Ready). Por ajo që MI6 nuk e di është se Stone është një spiun që punon për një organizatë sekrete të quajtur Charter, Katror.info.
Ata përshkruhen në trailer si “agjentët më të aftë – pa prirje politike, pa përkatësi kombëtare – që punojnë së bashku për të ruajtur paqen në një botë të trazuar”. Për të arritur qëllimet e tyre të larta, këta agjentë mbështeten në një pasuri unike të quajtur Heart.
Heart është inteligjenca artificiale më e fuqishme në botë, e aftë të gjurmojë të gjithë historinë online të një personi dhe më pas t’i përdorë ato të dhëna për të parashikuar se çfarë mund të bëjnë në të ardhmen. Heart mund të këshillojë për përgjigjet ndaj kërcënimeve të mundshme globale dhe madje të japë edhe këshilla për neutralizimin e tyre. Sigurisht, Heart mund të keqpërdoret, siç shihet në disa skena në film.
Edhe pse traileri tërhoqi shumë vëmendje pas publikimit dhe filmi aktualisht është më i shikuari në Netflix, ai ka një vlerësim 5.7 në IMDb. Në Rotten Tomatoes, kritikët i dhanë filmit një vlerësim 32%, ndërsa audienca i dha një vlerësim 61%. /Katror.info