Gropa Mariana është pika me e thellë oqeanike në planet. Kanali në formën e gjysmëhënesndodhet në Paqësorin Perëndimor, në lindje të ishujve Mariana pranë Guamit.
Rajoni që rrethon këtë gropë është i rëndësishëm për shkak të shumë mjediseve unike, përfshirë vrimat që nxjerrin squfur të lëngshëm dhe dioksid karboni, vullkanet aktive të baltës, dhe jetën detare që i është përshtatur presioneve 1000 herë më të mëdha sesa mbi sipërfaqen e detit.
Thellësia e tij është e vështirë të matet nga sipërfaqja. Por në vitin 2010, Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës në SHBA, përdori pulset e zërit, dhe vlerësoi se “Challenger Deep” gjendet në thellësinë 10.994 metra.
Një vlerësim i vitit të kaluar, që përdori sensorët e presionit, zbuloi se pika më e thellë ishte në fakt 10.935 metra. Vlerësime të tjera ndryshojnë me më pak se 305 m. Pika e dytë më e thellë e oqeanit, gjendet gjithashtu në Gropën Mariana.
“Thellësia e Sirenës”, ndodhet 200 kilometra në lindje të “Challenger Deep”, sërish me një thellësi të jashtëzakonshme prej 10.809 m. Sa për krahasim mali Everest ka një lartësi 8.848 metra mbi nivelin e detit. Pra pjesa më e thellë e Gropës Mariana është 2.147 metra më e thellë sesa lartësia e malit më të lartë në botë.
Gropa është 2.542 km i gjatë, dhe ka një gjerësi mesatare prej vetëm 69 km. Për shkak se Guami është një territor i Shteteve të Bashkuara dhe 15 Ishujt e Marianës Veriore qeverisen nga një Komonuelth i SHBA-së, është SHBA-ja ajo që ka juridiksion mbi Gropën Mariana.
Një zinxhir vullkanesh, që ngrihen mbi valët e oqeanit për të formuar Ishujt Mariana, përbëjnë harkun në formë gjysmëhëne të Gropës Mariana. Të ndërthurura me ishujt, janë shumë vullkane të çuditshëm nënujorë. Për shembull, vullkani nënujor Eifuku nxjerr dioksidkarboni të lëngshëm nga burimet hidrotermale të ngjashme me oxhaqet e shtëpive të banimit.
Lëngu që del nga këto oxhaqe ka një temperaturë 103 gradë Celsius. Ekspeditat shkencore më të fundit, kanë zbuluar specie çuditërisht të larmishme edhe në këto ambiente me kushte ekstreme.
Kafshët që jetojnë në pjesët më të thella të Gropës Mariana mbijetojnë në errësirë të plotë dhe nën një presion ekstrem. Tre nga organizmat më të zakonshëm në fundin Gropës Mariana janë ksenofioforët, amfipodët dhe kastravecat e vogla të detit (holothurianët).