Furrës me mikrovalë iu deshën dy dekada shitje modeste për të arritur vetëm një në dhjetë familje amerikane, por më pas erdhën vitet 1980 dhe mikrovalët u pranuan gjerësisht në familje. Tani, e njëjta gjë thuhet se po ndodh me automjetet elektrike, sipas një analize të Bloomberg Green.
Kur kjo analizë u përfundua për herë të parë një vit më parë, 19 vende kishin arritur momentin historik për automjetet elektrike – 5 përqind e shitjeve të makinave të reja në treg. Ky prag sinjalizon fillimin e adoptimit masiv, kur preferencat e teknologjisë ndryshojnë me shpejtësi.
Tani pesë vende të tjera i janë bashkuar listës së vendeve me një pjesë të shitjeve prej pesë (ose më shumë) përqind: Kanadaja, Australia, Spanja, Tajlanda dhe Hungaria. Më parë, lista e këtyre vendeve përfshinte SHBA-në, Kinën dhe pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore.
Analistët vlerësojnë se shitjet e automjeteve elektrike mund të rriten nga 5 në 25 për qind të makinave të reja në vetëm katër vjet. Sot në SHBA, shitjet e automjeteve elektrike po rriten me shpejtësi, me 42 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan Katror.info.
Një pikë kthese mund të jetë në horizont edhe për Indinë, tregu i tretë më i madh i automjeteve pas Kinës dhe SHBA-së. Automjetet elektrike përbënin 3 për qind të shitjeve të makinave të reja në vend në tremujorin e fundit, por është e rëndësishme të theksohet rritja e fortë e shitjeve të makinave elektrike – ato janë dyfishuar në gjashtë muajt e fundit.
Nga ana tjetër, në Norvegji, pionierja botërore në shitjet e automjeteve elektrike, rritja duket se po ngadalësohet pasi ka arritur në 80 për qind të automjeteve të reja./Katror.info