Të luash një instrument muzikor mund të jetë shumë më tepër sesa një mënyrë për të kaluar kohën e lirë.
Një studim i ri ka zbuluar se aktivitetet muzikore kanë ndikim të thellë pozitiv në shëndetin e trurit dhe në ruajtjen e aftësive njohëse gjatë procesit të plakjes, shkruan New York Post, përcjell Albanian Post.
Studiuesit analizuan trurin e tre grupeve: të moshuar që kishin luajtur muzikë gjatë gjithë jetës, të moshuar pa asnjë eksperiencë muzikore dhe të rinj jo muzikantë.
Rezultatet treguan se personat e moshuar që kishin qenë të angazhuar në muzikë ruanin shumë më mirë aftësinë për të dëgjuar dhe për të përpunuar të folurën në ambiente me zhurmë – një aftësi që zakonisht bie me kalimin e viteve.
Ndërsa grupi tjetër i të moshuarve, ata që nuk kishin ushtruar muzikë, kishin më shumë vështirësi në këtë aspekt, çka konsiderohet normale për moshën.
Sipas Lei Zhang, studiues në Institutin Rotman të Spitalit Baycrest në Toronto dhe bashkautor i studimit, ndikimi pozitiv i muzikës mbi trurin lidhet me faktin se ajo angazhon disa funksione njohëse në të njëjtën kohë.
Studiuesit shpjegojnë se luajtja e një instrumenti është një “stërvitje e plotë për trurin”, pasi përfshin shqisat, koordinimin e lëvizjeve, kujtesën dhe shprehjen emocionale.
Kjo e bën muzikën një nga aktivitetet më të fuqishme për të ruajtur freskinë mendore me kalimin e viteve.
Megjithatë, autorët theksojnë se nuk është e nevojshme të jesh muzikant për të stimuluar trurin.
Edhe aktivitete të tjera si mësimi i një gjuhe të re, leximi, ushtrimet fizike apo artet pamore mund të kenë një ndikim të ngjashëm pozitiv./Katror.info