Një performancë prej “kampioni” ka regjistruar Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” (TIA), duke e mbyllur sezonin veror i pari në Evropë për tre muajt (qershor, korrik dhe gusht ed.).
Kështu zbulon një raport i Eurocontrol-it, i publikuar të enjten e 12 shtatorit me titullin “Verë 2024 – Përmbledhje e performancës së rrjetit“.
Fillimisht, organizata ndërkombëtare zbulon se disa qendra të kontrollit të trafikut ajror (ACC) u përballën me rritje të trafikut që ishin dukshëm më të larta se mesatarja evropiane.
TIA ishte 20 për qind më e ngarkuar se viti 2023, duke lënë pas Aeroportin e Romës (Itali, +18 për qind) dhe atë të Zagrebit (Kroaci, +12 për qind), vëren raporti i Eurocontrol-it.
Më tej renditeshin, ACC e Pragës (Republika Çeke, +11 për qind), ACC e Padovës ( Italia, +11 për qind), ACC e Beogradit (Serbi dhe Mali i Zi, +10 për qind), ACC e Bratislavës (Sllovakia, +10 për qind) dhe ACC e Lubjanës (Sllovenia, +10 për qind).
Në tre muajt e verës, trafiku në rrjetin evropian të aviacionit ishte 4,8 për qind më i lartë krahasuar me të njëjtin tre muaj të vitit 2023, me një mesatare prej 34 mijë e 42 fluturimesh në ditë.
Më herët, ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila dha vlerësime maksimale për punën e Aeroportit të Rinasit, i cili ka qenë në dy vitet e fundit edhe aeroporti me rritjen më të madhe të fluksit të lëvizjes në Evropë.
“Saktësisht një vit më parë ne prezantuam planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe puna ka filluar të tregojë rezultatet e para. Le të ndalemi për një moment dhe të kremtojmë këto arritje, të cilat ju udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të jeni shumë krenarë”, theksoi von der Leyen në fjalën e saj gjatë Forumit të Bled-it në Slloveni.
Më tej, ajo u ndal pikërisht te Rinasi.
“Tirana është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë”, i mëshoi këtij fakti presidentja e KE-së.
Në shifrat e fundit të marra nga vetë struktura aeroportuale, Albanian Post mësoi se për periudhën janar-gusht 2024, në Rinas ka pasur gjithsej 7 milionë e 233 mijë e 711 pasagjerë.
Një shifër kjo eksponencialisht më e madhe se sa ajo e vitit të shkuar, e cila pa 4 milionë e 606 mijë e 805 për të njëjtën periudhë.
Një shifër kjo, e cila sheh mbi 2.6 milionë pasagjerë më shumë, ose e përkthyer, 56 për qind më shumë fluks se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Me një ritëm të tillë rritjeje, ndërkohë që vjet u tejkalua shifra e 10 milionë turistëve, këtë vit mund të arrihet edhe një shifër drejt 13-14 milionë, sipas projeksioneve.
Vetëm për muajin gusht 2024, krahasuar me një vit më parë, ka pasur 368 mijë e 456 pasagjerë më shumë, ose 41.7 për qind.
Dita e cila ka arritur rekordin ka qenë ajo e 16 gushtit, me përpunimin e 45 mijë e 454 pasagjerëve./Katror.info