Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e sallës “Rinia” në Qytetin Studenti, akademiku, shkrimtari, studiuesi dhe poeti nga Kosova, Sabri Hamiti, u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”, i cili iu dorëzua nga Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, njoftojnë mediat në Tiranë.
Sabri Hamiti u nderua me këtë titull të lartë akademik : “Për studiuesin, dijetarin, kritikun, poetin, dramaturgun, prozatorin, botuesin, pedagogun, politikanin që shenjon me veprën e tij madhore kulturën shqiptare e shqipe me gjerësinë e temave, thellësinë e mendimit dhe të analizës, intuitën e kritikës, stilin shkrimor unik, dijen e gjerë dhe poliedrike, përkushtimin tërësor dhe përkujdesjen e skajshme ndaj shkrimit krijues e interpretuese, duke e ndërtuar në altare autoritetin referencial të letërsisë, si dhe të botës shqiptare.”
Sabri Hamiti lindi në vitin 1950 në Dumnicë të Podujevës. Pas përfundimit të gjimnazit në Podujevë (1968), u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, ku u diplomua me sukses të shkëlqyeshëm në vitin 1972.

Që herët nisi botimet letrare në revistën Bota e re dhe në gazeta e revista të tjera, duke marrë pjesë edhe në demonstratat studentore të Prishtinës. Vepra e tij e parë letrare u botua në shtëpinë botuese Rilindja.
Hamiti vijoi studimet pasuniversitare në Universitetin e Sorbonës në Paris me temën Poetika e re shqipe, por për arsye ekonomike u kthye në Prishtinë, ku nisi punë në Rilindja (1973). Më pas përfundoi studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Zagrebit dhe specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales në Paris (1980–1981). Gjithashtu mori diplomë për letërsi dhe qytetërim francez në Universitetin e Sorbonës.
Në vitin 1987 mbrojti doktoratën në Universitetin e Prishtinës me temë nga letërsia bashkëkohore shqipe. Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në vitin 1989, u bë anëtar i saj dhe më pas disa herë me radhë (1992, 1998, 2001) u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në vitin 1993 u emërua profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe ligjëroi edhe në studimet postdiplomike. Si anëtar i Komisionit Kombëtar (1995) kontribuoi në njësimin e programeve shkollore dhe në hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe.
Më 24 shtator 1998, persona të panjohur i bënë atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani, Prishtinë.
Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 anëtar i rregullt. Në vitin 2002 botoi kompletin e veprave të tij në dhjetë vëllime./Katror.info













