Xhudisti kosovar Akil Gjakova ka hyrë me këmbë të mbarë në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë.
Pas kualifikimit automatik në raundin e parë, Gjakova u përball në fazën e dytë me sportistin rumun Ioan Dzitac. Përballja ishte e fortë dhe kërkoi kohë shtesë, ku Gjakova siguroi fitoren me teknikën waza-ari, raporton Katror.info.
Në raundin e ardhshëm, ai do të përballet me përfaqësuesin e Brazilit.
Ky kampionat, një nga më të mëdhenjtë në kalendarin vjetor të xhudos, ka mbledhur në Budapest 557 garues nga 93 vende të botës.
Kosova përfaqësohet nga tre emra të njohur të këtij sporti: Distria Krasniqi (-52 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg), të cilët udhëhiqen nga trajnerët Driton Kuka, Fatos Tabaku dhe Majlinda Kelmendi.
Distria Krasniqi tashmë ka siguruar medaljen e argjendtë, ndërsa sytë janë tani nga performanca e Akilit dhe e Laures në ditët në vijim./Katror.info