Historia e Albatrit Maliçit, i lindur më 27 korrik 1991 në Gjilan, tregon se si përkushtimi, dijet dhe vlerat familjare mund të çojnë një njeri larg, pa harruar rrënjët e veta. Pas fillimit të shkollës në Konçul dhe Prishtinë, Albatriti dhe familja e tij u shpërngulën në Mynih të Gjermanisë në vitin 2005, ku ai filloi rrugëtimin drejt inxhinierisë.
Në vitin 2016, ai përfundoi Bachelor of Engineering në University of Applied Sciences in Munich, dhe më 2019 mori edhe titullin Master of Engineering në drejtimin Inxhinieri Ndërtimore. Karrierën profesionale e nisi në kompaninë Ed. Züblin AG si inxhinier ndërtimi, përpara se të punonte si projektmenaxher i mirëmbajtjes së infrastrukturës nëntokësore të U-Bahn-it të Mynihut.
Vetëm katër vite më vonë, ai u promovua si team leader, duke udhëhequr 25 inxhinierë dhe arkitektë, ndërsa sot, në vitin 2025, Albatriti është udhëheqës i sektorit të Projektmenaxhimit të Infrastrukturës Nëntokësore të U-Bahn-it, me përgjegjësi mbi 41 inxhinierë dhe arkitektë dhe 6 studentë.
“Të udhëheqësh një ekip gjerman në administratën e Mynihut është privilegj dhe përgjegjësi. Besimi fitohet me punë, korrektësi dhe përkushtim. Çdo ditë mundohem t’ia kthej shtetit gjerman mirënjohjen për mundësinë që më dha, me punë cilësore dhe rezultate konkrete”, thotë ai.
Albatriti e sheh inxhinierinë jo vetëm si profesion, por si pasion dhe mënyrë jetese. “Me çdo projekt ndërtojmë të ardhmen. Krijojmë jo vetëm banesa apo tunele metroje, por hapësira ku njerëzit ndihen të sigurt dhe të lidhur me jetën”, shton ai.
Edhe përtej sukseseve të tij, Albatriti mbetet gjithmonë në zhvillim dhe i hapur ndaj sfidave të reja, me ëndrrën për të kontribuar jo vetëm në Gjermani, por edhe një ditë në Kosovë. Filozofia e tij e jetës është e thjeshtë: “Dita pa zhvillim është një hap pas në jetë”, ndërsa krenaria për origjinën e tij shqiptare është gjithmonë prezente: “Çdo sukses timin e mbaj si flamur të vogël të vendit tim në zemrën e Evropës”.
Trashëgimia, puna e ndershme dhe mbështetja e familjes mbeten themeli i të gjitha arritjeve të tij, duke e bërë Albatritin një shembull frymëzues se edhe në zemër të Evropës, një shqiptar mund të udhëheqë projekte ndërkombëtare të nivelit më të lartë./Katror.info
















