Muzika dhe letërsia gjithmonë kanë pasur aspekte të përbashkëta. Një sërë operash janë të bazuara në vepra letrare, që përfshijnë shkrimtarë të ndryshëm si Anton Çehovi, Viktor Hygo, Uilliam Shekspiri dhe Oskar Uajldi. Në muzikën e popullarizuar, një grup shkrimtarësh që padyshim kanë qenë të lidhur me muzikën ishin Gjenerata Beat. Këta shkrimtarë ishin aktivë jo vetëm në botën letrare, por kishin edhe ndikim në shoqërinë amerikane, duke u lidhur shpesh me një “revolucion kulturor”, i cili sipas Jonah Raskin (letrar amerikan dhe kritik i letërsisë) filloi me leximin e poemës “Howl” nga Alen Ginsberg në Galerinë Six në San Francisko, më 7 tetor 1955.
Ky revolucion kulturor ishte i lidhur me shumë lloje të tjera revolucionesh: letrare, kundër-kulturore, shoqërore, shpirtërore. Të gjitha i janë atribuar Gjeneratës Beat në një formë apo tjetër. Në veçanti, ndikimi i muzikës jazz te disa nga shkrimtarët kryesorë të këtij grupi, si dhe ndikimi i Beat-ëve te muzika që përbënte zërin kryesor të lëvizjes hippie në botë gjatë viteve 1960, pa dyshim vazhdon të ketë efekte të qëndrueshme edhe sot – që shfaqen në letërsinë eksperimentale moderne dhe në disa lloje në muzikën e popullarizuar.
Poemën “Howl” Ginsberg filloi ta shkruante në mes të vitit 1954 dhe ajo nuk u botua deri në vitin 1956. Hal Willner (producent amerikan) organizoi një festim për 60-vjetorin e saj në hotelin Ace në Los Angjelos në prill të vitit 2015, me pjesëmarrjen e Courtney Love, Beth Orton, Devendra Banhart, Nick Cave, Macy Gray dhe Peaches.
Ky formacion tregon sa thellë ka depërtuar poema “Howl” në kulturën e popullarizuar dhe ndryshe nga pothuajse çdo vepër tjetër letrare, ajo ka ndihmuar në formësimin në disa zhanre të muzikës ashtu si i njohim sot.
Ginsberg, ndërdisiplinor para shumë artistëve të tjerë, ndërmori shumë hapa personalë në fushën e muzikës – nga bashkëpunimet me Paul McCartney, Philip Glass dhe The Clash, deri te himni i tij eksperimental budist-punk “Birdbrain” në vitin 1981. Sot pak kush ka guxim të bëj një himn me qëndrime të tilla si në “Birdbrain” dhe të mos rrezikojë karrierën e tij.
Ginsberg ishte një frymëzim për shumë muzikantë, nga Bob Dylan te Patti Smith, por roli i tij kyç në muzikën anglo-amerikane të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të shpesh injorohet.
Poema ”Howl”, sidoqoftë, ishte aty ku gjithçka filloi – një vepër halucinante dhe e fuqishme që nisi garën mes poezisë dhe rock’n’roll-it. Ajo tronditi shoqërinë amerikane të viteve ’50. Në vitin 1957, një shitës i librarisë City Lights në San Francisko u burgos për ta shitur, ndërsa botuesi i City Lights, Lawrence Ferlinghetti u ndoq penalisht – dhe më pas u shpall i pafajshëm – për botimin e saj.
“Howl” flet për drogën, promiskuitetin, largimin e të rinjve nga shoqëria, kapitalizmin, industrializimin, shprehjen, konformizmin, seksualitetin dhe bukurinë e të qenit në skaje të shoqërisë. Ajo shkëlqen me një interes të veçantë për vetë-shprehjen dhe me bindjen se shkrimtari duhet të refuzojë përmbajtjen dhe autocensurën. Ajo rrëzoi normat dhe kufijtë kulturorë në një nivel makrokozmosi, por gjithashtu frymëzoi një valë të re muzikantësh përmes stilit, metrikës dhe imazherisë së saj. Poema “Howl” e hapi një botë që muzika nuk e njihte deri atëherë. Edhe pse Ginsberg e paraqiste veprën e tij në faqe librash dhe në lexime solo, muzika ka qenë gjithmonë e pranishme në punën e tij.
Kritikët vlerësojnë se “A Hard Rain’s A-Gonna Fall” e Bob Dylan – it, nga albumi i tij i dytë, i detyrohej shumë retorikës biblike dhe stilit deklamues të Ginsbergut, por mund të përfshihen edhe shumë nga veprat e tjera të tij në këtë detyrim të Dylanit ndaj Ginsbergut.
Kur Ginsberg fillon të lexojë “Howl,” kuptohet pse ai e njohu Dylanin si trashëgimtarin e tij artistik. Në dokumentarin e vitit 1967, “Don’t Look Back”, është Ginsberg në rrugicën prapa Dylan, i cili prezanton tekstet e këngës në stilin e Ginsbergut “Subterranean Homesick Blues” në një seri tabelash. Në filmin e vitit 2019, “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story” nga Martin Scorsese, Ginsberg është një personazh dytësor, duke performuar me Dylan për një dhomë indianësh amerikanë dhe duke komunikuar me Dylan pranë varrit të Kerouac.
“Kur plakesh, realizohen të gjitha ëndrrat e tua, nëse ke ëndrrat e duhura. tha Ginsberg në një intervistë të vitit 1977. Kur isha më i ri, gjithmonë doja të shkoja në një turne rock ’n’ roll. Kur mbusha 50 vjeç, shkova në një turne rock ’n’ roll.” Kjo ishte një referencë për turneun “Rolling Thunder” një vit më parë e Bob Dylanit.
Kur Phil Spector ishte producent për albumin “The Death of a Ladies Man” të Leonard Cohen në 1977, ai i nxiti Dylan dhe Ginsberg të këndonin në harmoni në këngën “Don’t Go Home with Your Hard-On.” Në një moment, Ginsberg po merrte mësime për kitarë nga Dylan. Ai kishte shoqëruar veten tashmë me harmonium, gjatë leximeve të tij dhe më pas udhëtonte me një shoqërues kitarist.”
Dylan shpesh e ka përmendur Ginsberg-un si një ndikim të madh në jetën dhe veprën e tij. Ndërmjet tyre kishte një diferencë moshe prej pesëmbëdhjetë vitesh, çka e bënte poetin, më të madh në moshë, të përfaqësonte një figurë atësore, siç dëshmohet edhe në filmin e tij “Renaldo and Clara”. Në këtë film, Ginsberg luan një personazh që jep këshilla dhe njihet si “Babai”.
Dylan ka pranuar se nuk kishte filluar të shkruante poezi deri në gjimnaz, kur ishte rreth 18 vjeç dhe lexoi për herë të parë Ginsberg-un. Kështu që, në fillim, marrëdhënia ishte e njëanshme me Dylan-in e frymëzuar nga Gjenerata Beat.
Megjithatë, Ginsberg gjeti në këngët e Dylan-it të njëjtin shpirt që i jepte vetë poezisë së tij. Protesta dhe misticizmi që përshkruante Dylan-i ishin gjithashtu të pranishme në shumë nga veprat e Ginsberg-ut. Ginsberg e vlerësonte punën e Dylan-it si një rikthim të poezisë përmes muzikës. Përveçse se u shfaq në “Renaldo and Clara” dhe videon “Subterranean Homesick Blues”, ai shkroi tri poezi në lavdërim të Dylan-it dhe përgatiti shënimet e kopertinës për albumin “Desire”.
Për Allen Ginsberg, Dylan-i ishte një zbulim i madh. Për të këngët e Dylan-it përfaqësonin kulmin e bashkimit mes poezisë dhe muzikës – ashtu siç ishte ëndërruar në vitet ’50 dhe fillimet e viteve ’60. Ai e shihte Dylan-in, me të drejtë, të lidhur me gjithë traditën e lëvizjes Beat dhe, përmes saj, me poetët pararendës. Dylan mësoi shumë nga Ginsberg, por ata bashkëpunuan dhe bashkëvepruan, duke treguar respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Dylan ishte njohur me veprat e Ginsberg para se Ginsberg të zbulonte ato të Dylan-it, megjithatë poezia Beat nuk ishte ndikimi i vetëm në krijimtarinë e Dylan-it, dhe edhe Ginsberg mësoi shumë prej tij. Së bashku, ata ndihmuan në sjelljen e frymës Beat në vitet ’60-ta dhe në avancimin e një brezi të ri të aktivizmit shoqëror dhe artit.

Në vitin 1965, Ginsberg ishte gjithashtu në lindjen e hipive, kur u këshilloi studentëve që protestonin kundër luftës të dekoronin rreshtin e parë të tubimeve të tyre me lule. Kjo i dha jetë idesë së hipive për fuqinë e luleve (Flower Power), e cila është ende aktive në lëvizjen hipi. Në vitet 1960, ai udhëtoi për të mësuar më shumë rreth politikës së fuqive të tjera të mëdha, të cilat më vonë i kritikoi. Ai shikoi përtej Indisë dhe Kinës (ku studioi plotësisht Budizmin Zen dhe më pas u bë ndjekës i tij). Në Çekosllovaki, asokohe, u habit shumë me fitoren e tij te dashamirësit e beat-gjeneratës dhe kulturës hipi, dhe u bë mbret i Majales së Pragës (festival i madh i hapur i poezisë dhe muzikës që ende mbahet në Pragë dhe feston jetën studentore; tradicionalisht përfshin një paradë nëpër qytet dhe një festival muzikor). Regjimit të kohës në Pragë logjikisht nuk i pëlqeu kjo, dhe Ginsberg u përjashtua nga Çekosllovakia për “korruptim të të rinjve”.
Pas dy takimeve në vitin 1965, poeti Allen Ginsberg dhe Beatles krijuan shpejt një marrëdhënie të ngushtë. Ashtu si shumë të tjerë të brezit të tyre, Beatles ishin rritur duke adhuruar shkrimtarët e lëvizjes Beat. Ata ishin të magjepsur nga poeti më i shquar i kësaj lëvizjeje, dhe vlerësimi ishte i ndërsjellë.
Kulmi i arritjeve të grupit, sipas Ginsbergut, do të vinte me albumin “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band”. I publikuar në kulmin e “Verës së Dashurisë” më 1967, ky album tronditi thellë kulturën popullore. Më shumë se thjesht një album, ai ishte një moment kulturor i veçantë – diçka që Ginsbergu e komentoi në dokumentarin e vitit 1987 të publicistit të Beatles-ëve, Derek Taylor, “It Was 20 Years Ago Today”.
“Pas apokalipsit të Hitlerit,” thotë Ginsbergu, “dhe apokalipsit të Bombës, këtu [në Sgt. epper’s] kishte një shpërthim gëzimi – rizbulimi i gëzimit dhe i asaj që do të thotë të jesh gjallë… [Beatles-ët] treguan vetëdije që ne e krijojmë vetë fatin tonë, dhe ata vendosën të krijonin një fat të gëzueshëm. Vendosën të ishin bujarë me këngën “Lovely Rita”, ose me vetë “Sgt. Pepper” të cilin te kthenin atë nga një figurë autoriteti në një figurë humori, një shfaqje varieteje.”
Ginsbergu do të njihej më mirë me John Lennonin pasi ky i fundit u zhvendos në Nju Jork në vitet 1970. Në vitin 1996, ai do të bashkëpunonte me Paul McCartney-n në poezinë kundër luftës “The Ballad of Skeletons”. Pavarësisht shëndetit të dobët, ai gjithashtu e inkurajoi McCartney-n të publikonte librin e tij me poezi “Blackbird Singing”, pak përpara se Ginsbergu të ndërronte jetë në vitin 1997.
Patti Smith është një nga artistet mbi të cilat puna e Ginsbergut la shenja të pashlyeshme. Debutimi i Smith-it në vitin 1974, “Piss Factory”, nuk do të kishte ekzistuar pa “Howl”. Ajo inçizoi këngën e Ginsbergut “Spell” në albumin e saj të nominuar për Grammy në 1997, “Peace and Noise”.
Me “Howl”, poezia mbeti e rëndësishme në muzikë — dhe këtë e kultivuan Joy Division, Morrissey dhe David Bowie gjatë viteve 1970 e deri te punku.
Patti Smith, që vlerësohet si nëna e punk-ut, do të thoshte se poezia është e rëndësishme për punk-un dhe është si motra e tij kapriçoze, të dyja të dhëna pas muzikës. Këto dy forma shprehjeje ndërthuren me aq lehtësi në botën e njëra-tjetrës, saqë poezia gjen rrugën për t’u përfshirë edhe mes punk-ëve.
Një nga këto ndërthurje ndodhi kur Allen Ginsberg ftoi The Clash të bashkoheshin me të për një lexim të veçantë të poemës “Capitol Air”. Në vitin 1981, The Clash ndodheshin në një pikë kthese në karrierën e tyre. Grupi ishte konsideruar prej kohësh si punkët e “njerëzve që mendojnë”, dhe këtë nofkë e kishin çuar në nivele të reja me albumin e tyre legjendar “London Calling” më 1979. Por, albumi i vitit 1980, Sandinista! (një album i ngarkuar politikisht, kundër autoritarizmit), nuk kishte ndezur shumë skenën. Ishte një moment i vështirë për një grup që deri atëherë kishte njohur vetëm ngritje.
Për albumin e ri, ata përballeshin me një zgjedhje të thjeshtë, ose të qëndronin “punk”, të refuzonin të rriteshin dhe të dështonin artistikisht, ose të vazhdonin evolucionin muzikor brenda kazanit që vetë kishin krijuar — një përzierje reggae, dub, poezie dhe muzike proteste — dhe të shpresonin se publiku do ta kuptonte. Natyrisht, The Clash zgjodhën këtë të fundit me albumin “Combat Rock”, më 1982.
Një nga këngët e këtij albumi përmban një shtesë të veçantë nga Allen Ginsberg. “Ghetto Defendant” përmban një interpretim të shkurtër me fjalë të folura nga Ginsberg dhe ishte, në fakt, bashkëshkruar mes tij dhe Joe Strummer, frontmeni i grupit The Clash. Por, përpara se të ndanin studion, Ginsberg dhe Strummer ndanë skenën. Strummer dëshironte të ruante mprehtësinë politike të grupit dhe ftoi Ginsberg të thoshte diçka në koncertin e tyre në Times Square — por Ginsberg kishte plane të tjera.
Siç thotë vetë Ginsberg:
“Po dëgjoja shumë punk dhe kisha dëgjuar për The Clash. Shkova pas skene një natë gjatë koncertit të tyre 17-ditor në Bonds Club në Times Square dhe Joe Strummer më tha: ‘Kemi pasur dikë që flet për Nikaraguan, Salvadorin dhe Amerikën Qendrore (po promovonin e labumit Sandinista!), por publiku i kanë hedhur vezë dhe domate në shenjë pakënaqësie. Do doje ta provoje ti?’ Unë thashë: ‘Nuk jam i sigurt për një fjalim, por kam një këngë punk për këtë temë.’ Akorde të thjeshta, e provuam pesë minuta dhe e bëmë bashkë.”
“Dola në skenë në fillim të setit të dytë,” vazhdoi Ginsberg. Kënga ishte punk në qëndrim dhe në ritëm, por elegant për shkak të detajeve specifike politike. Strofa e parë zvarritet pak, por vjen një pikë ku bashkohemi të gjithë për dy vargje, dhe poema “Capitol Air” u shndërrua në një këngë ‘himn punk”.
Ishte me të vërtetë një moment i veçantë për këdo që shkonte të shihte një koncert intim të The Clash dhe përfundonte duke marrë një dozë ekstra nga Allen Ginsberg.
Ajo që ndodhi ishte një rrëfim i çmendur e i rrëmbyer nga Ginsberg, i shoqëruar nga, në atë kohë, një nga grupet më të rëndësishme në botë. Temat ishin kryesisht të përqendruara në burokracinë autoritare që Ginsberg shihte nëpër botë. Ai e përdori momentin për të sfiduar mentalitetin e një kombi konsumator, të mpirë nga lodrat gjithnjë e më të sofistikuara. Ginsberg ishte i tërbuar në zemërimin e tij dhe nuk kurseu asnjë institucion.
Kaq shumë e impresionoi Joe Strummer, saqë punoi me përkushtim për të bashkëshkruar me Ginsberg këngën “Ghetto Defendant” — një këngë që trajtonte po të njëjtat tema si “Capitol Air” — duke finalizuar një nga albumet më të mira të The Clash.
Por, Ginsberg me “Howl”, frymëzon edhe krijuesit klasikë. “Hydrogen Jukebox” është një operë kamertale me muzikë të Philip Glass dhe me tekste të Allen Ginsberg. Emri i saj vjen nga një frazë e shpikur nga Ginsberg në poezinë “Howl”.
Philip Glass, kompozitori dhe pianisti amerikan, konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më me ndikim të fundit të shekullit XX. Vepra e tij është e lidhur ngushtë me minimalizmin, duke u ndërtuar mbi fraza të përsëritura dhe shtresa që ndryshojnë gradualisht.
Në vitin 1988, ai takon rastësisht Ginsbergun në një librari dhe e pyet nëse do të donte të performonin bashkë. Meqenëse ndodheshin në seksionin e poezisë, Ginsberg mori nga rafti një libër me titull “Wichita Vortex Sutra”. Ishte një poemë e shkruar në vitin 1966, që pasqyronte atmosferën anti-luftë të kohës dhe dukej shumë e përshtatshme për rastin. Glass kompozoi një pjesë për piano për të shoqëruar leximin e Allen-it, i cili u zhvillua në Teatrin Schubert në Broadway.
Ky bashkëpunim çoi në krijimin e një prej operave më eksperimentale të kohës. Vepra synonte të krijonte një portret të Amerikës që mbulonte vitet 1950 deri në fund të viteve 1980. Glass dhe Ginsberg u përpoqën të përfshinin poezitë personale të Ginsbergut, duke reflektuar mbi çështje sociale si: lëvizja kundër luftës, revolucioni seksual, përdorimi i drogës, filozofia lindore dhe problemet mjedisore. Gjashtë pjesët vokale përfaqësonin gjashtë personazhe arketipike amerikane: një kamariere, një polic, një biznesmen, një nxitëse tifozësh, një prift dhe një mekanik.
Titulli Hydrogen Jukebox vjen nga një varg në poemën Howl: “…duke dëgjuar krismën e fatit në xhukeboksin e hidrogjenit…”
Ai nënkupton një gjendje teknologjie të lartë hipertrofike, një gjendje psikologjike ku njerëzit janë në kufirin e kapacitetit të tyre shqisor — me “xhukeboxin” ushtarak të qytetërimit që përçon një ulërimë të lartë industriale, një muzikë që dridh kockat dhe depërton në sistemin nervor, ashtu siç mund të bëjë një bombë hidrogjeni një ditë, duke paralajmëruar apokalipsin.
Allen Ginsberg, lindi më 3 qershor 1926, Newark, New Jersey, SHBA dhe vdiq më 5 prill 1997, New York. Ai u rrit në Paterson, New Jersey, ku babai i tij, Louis Ginsberg, vetë një poet, jepte mësim në anglisht. Nëna e Allen Ginsbergut, të cilën ai e vajton në poemën e gjatë Kaddish (1961), kaloi shumë vite në një spital psikiatrik. Ginsberg u ndikua në punën e tij nga poeti William Carlos Williams, veçanërisht për sa i përket përdorimit të ritmeve natyrale të të folurit dhe vëzhgimeve të drejtpërdrejta të realitetit të zhveshur nga zbukurimet.
Gjatë kohës që studionte në Universitetin Columbia, ku prirjet e tij anarkike shqetësuan autoritetet, Ginsberg u bë mik i ngushtë me Jack Kerouac dhe William Burroughs, të cilët më vonë do të bëheshin pjesë e lëvizjes Beat. Ginsberg është autor i më shumë se 20 veprave muzikore, kryesisht albume me fjalë të folura, dhe 30 veprave letrare.
Përmbledhja e tij “Fall Of America” (Rënia e Amerikës) fitoi Çmimin Kombëtar të Librit për Poezi në vitin 1974. Në vitin 1979, ai mori Medaljen e Artë të Klubit Kombëtar të Arteve dhe u pranua në Akademinë Amerikane dhe Institutin e Arteve dhe Letrave.
Në vitin 1986, Ginsberg u vlerësua me Kurorën e Artë nga Festivali Ndërkombëtar i Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë, Maqedoninë e Veriut, duke u bërë poeti i dytë amerikan që e fitonte këtë çmim pas W. H. Auden. Në vitin 1989, Ginsberg u shfaq në filmin të Rosa von Praunheim, ”Silence = Death”, që flet për luftën e artistëve gej në New York City për edukimin mbi AIDS-in dhe të drejtat e personave të infektuar me HIV.
Në vitin 1993, Ministri Francez i Kulturës e emëroi Ginsbergun Kalorës të Arteve dhe Letrave. Po atë vit, ai mori edhe një Çmim “John Jay” nga Universiteti Columbia.
Ginsberg ishte finalist për Çmimin Pulitzer në vitin 1995 për librin e tij Cosmopolitan Greetings: Poems 1986–1992.
Në vitin 2014, Ginsberg ishte një nga të nderuarit e parë në Rainbow Honor Walk, një shëtitore me famë në lagjen Castro të San Franciskos, që nderon personat LGBTQ që kanë “dhënë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre”./Katror.info
Përgatiti:
