Në konferencën e fundit WWDC, Apple prezantoi një mori përmirësimesh në iPhone, duke përfshirë veçori të tilla si mesazhet audio përmes FaceTime dhe funksionin “Check In”. Sidoqoftë, iOS 17 vjen me më shumë mjete të reja, duke përfshirë një që paralajmëron përdoruesit për përmbajtjen eksplicite potencialisht të padëshiruar, shkruan Katror.info.
Sipas postimit në blog të Apple, ne marrim një sqarim të shkurtër se si do të funksionojë kjo veçori. Domethënë, kur merrni një foto eksplicite, do të shfaqet një dritare që ju pyet nëse dëshironi ta shihni këtë material të ndjeshëm. Kjo mund t’i ndihmojë përdoruesit të mbrohen nga përmbajtja që nuk duan të shohin, raporton Tech Crunch.

“Fotografitë eksplicite tregojnë zona private të trupit që zakonisht mbulohen me të brendshme apo rroba banje”, thuhet në dritare. “Ju nuk jeni përgjegjës, por imazhet dhe videot si kjo mund të keqpërdoren për t’ju dëmtuar.” Dritarja tregon më tej se personi në foto ose video mund të mos ketë pranuar të ndajë një përmbajtje të tillë.
Përdoruesit kanë tre opsione: ata mund të refuzojnë ose rishikojnë përmbajtjen, ose mund të zgjedhin opsionin “mënyrat për të marrë ndihmë”. Meqenëse iOS 17 nuk është ende i disponueshëm, përshkrimi i saktë i opsionit nuk dihet, por supozohet se do t’u ofrojë përdoruesve informacione se si të reagojnë në situatat e ngacmimit seksual.
Apple thekson se kjo veçori është opsionale dhe mund të aktivizohet ose çaktivizohet në cilësimet.
Ashtu si të gjitha funksionet e tjera të sigurta të komunikimit në iPhone, procesi i zbulimit të përmbajtjes potencialisht të papërshtatshme ndodh drejtpërdrejt në pajisje. Kjo do të thotë që nëse i dërgoni dikujt një foto të zhveshur (me pëlqimin paraprak, sigurisht), Apple nuk do të ketë akses në fotot tuaja private./Katror.info