Sot duke filluar nga ora 20:00, me poezi inspiruese dhe fuqizuese nga poetet/ët, të interpretuara nga aktoret/ët dhe aktivistet/ët në Menzën Ramiz Sadiku organizohet mbrëmje artistike të poezisë dhe muzikës për fuqizim të grave dhe vajzave në Kosovë.
Mjetet e grumbullara nga shitja e biletave të kësaj mbrëmjeje do t’i dedikohen tri grave kryefamiljare nga Skenderaj, Klina dhe Mitrovica, qytete këto që u prekën nga vërshimet.
Mysafire speciale e kësaj mbrëmje artistike është poetja nga Shqipëria, Mimoza Ahmeti. Kurse do të interpretojnë edhe poetet/ët: Sibel Halimi, Shpëtim Selmani, Gili Hoxhaj dhe Arbër Selmani.
“Poezi për fuqi” do të pasurohet edhe me interpretimet e aktoreve/ëve dhe aktivisteve/ëve: Meli Qena, Igballe Qena, Shkelzen Veseli, Denis Galushi, Anisa Ismaili, Fatmir Menekshe, Neri Ferizi, Mila Mihajlovic, Aleksandra Jovičić, dhe Donato Giuliani.
Gjithashtu do të interpretojë poezi të përzgjedhura nga Shpëtim Selmani edhe Trupa Artistike Rezidente e Artpolis në përbërje të: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qendresa Kajtazi, Zhaneta Xhemajli, dhe koreografit Robert Nuha. Kjo mbrëmje udhëhiqet nga regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha.
Poezitë do të përcjellën me muzikë nga bendi i Semira Latifit, së bashku me Arian Randobrava dhe Ilir Bajri.
Për publikun edhe këtë herë do të jetë në dispozicion “Mikrofoni i hapur” që të kontribuoni në këtë mbrëmje artistike duke lexuar poezitë e juaja ose të autoreve të tjera feministe.