Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në fushën e shërbimeve publike me lansimin e Sistemit të Regjistrimit të Ngjarjeve Jetësore për Fëmijë, një platformë e re e dizajnuar për të regjistruar lindjet dhe ngjarjet jetësore të fëmijëve të posalindur. Ky sistem i avancuar ka për qëllim të thjeshtojë dhe modernizojë proceset administrative, duke i ofruar qytetarëve mundësi të shpejta dhe efikase për regjistrimin e fëmijëve të tyre.
Përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së Gjermanisë përgëzuan Kosovën për këtë arritje të rëndësishme, transmeton Katror.info.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, shprehu kënaqësinë për këtë hap të madh, duke theksuar theksoi përkushtimin e BE-së për transformimin dixhital, i cili ndihmon në nxitjen e zhvillimit dhe inovacionit.
”Ky shërbim i ri, i mbështetur nga BE dhe Gjermania, e bën më të lehtë regjistrimin e të porsalindurve, shtesat e lehonisë dhe vaksinimet për të gjithë”, thuhet në njoftimin e zyres së BE-së në Kosovë.
Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, gjithashtu shprehu mbështetjen e fortë për këtë iniciativë dhe e cilësoi këtë hap si një tjetër dëshmi të përkushtimit të Kosovës ndaj reformave dhe modernizimit të shërbimeve publike.
”Reduktimi i burokracisë është një gur themeli i qeverisjes së mirë. Duke thjeshtuar shërbimet publike, Kosova po ua lehtëson qytetarëve ngjarjet kryesore të jetës dhe po nxit besimin ndërmjet institucioneve dhe njerëzve,” tha ambasadori Rohde.
Ambasadori gjerman shtoi se sëbashku me BE-në, Gjermania me krenari mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt qeverisjes dixhitale me në qendër qytetarin përmes projekteve të zbatuara nga GIZ Kosova.
Sipas deklaratave, ky projekt është një pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për të përmirësuar administratën shtetërore dhe për të ofruar shërbime publike më të mira dhe më të integruara për qytetarët. Bashkimi Evropian dhe Gjermania vazhdojnë të mbështesin Kosovën në këtë rrugë të transformimit dhe modernizimit. /Katror.info
Përgatiti:
