Bashkimi Evropian (BE) shpreh keqardhje për situatën kritike të transmetuesit publik të Kosovës, duke e cilësuar atë pasojë e drejtpërdrejtë e bllokadës aktuale institucionale.
Në një reagim nga zyra për shtyp e BE-së, u bëhet thirrje autoriteteve kompetente të sigurojnë financim të qëndrueshëm dhe afatgjatë për Radio Televizionin e Kosovës si dhe të mundësojnë funksionimin e tij të papenguar.
“Është thelbësore që një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian të garantojë një financim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për transmetuesin publik dhe t’i mbështesë operacionet e tij. Ne mbetemi të shqetësuar për vonesat e vazhdueshme, të cilat tashmë kanë pasoja konkrete”, thuhet në deklaratë.
BE-ja rikujton se u ka bërë vazhdimisht thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës t’i formojnë sa më parë institucionet për ta shmangur bllokimin e funksionimit të organeve publike./RTK/Katror.info