Këngëtarja shqiptare me renome ndërkombëtare, Bebe Rexha, e ka nisur vitin 2023 me suksese të shumta.
E gjitha vjen nga kënga e saj më e fundit, “I’m Good (Blue)” në bashkëpunim me David Guettan, e cila që nga koha kur u publikua në gushtin e vitit të kaluar, ka pushtuar top-listat britanike dhe amerikane.
Aktualisht kjo këngë sapo ka tejkaluar shifrën e 600 milionë dëgjimeve në atë që njihet si platforma më e madhe e shërbimeve të transmetimit në botë – Spotify.
Ka qenë njëra prej faqeve të fansave të këngëtares shqiptare, e cila ka publikuar këtë të dhënë duke e cilësuar si këngën më të shpejtë të Bebe Rexhës në karrierën e saj, që arrin një shifër të tillë.
Por suksesi i tyre nuk ndalet me kaq, pasi “I’m Good (Blue)” ka një performancë të kënaqshme edhe në kanalin YouTube.
Në muajin e parë të vitit, dyshja Bebe Rexha dhe David Guetta arritën që me bashkëpunimin e tyre të tejkalojnë shifrën e 100 milionë klikimeve.
“I’m Good (Blue)” përveçse vazhdon që të qëndrojë akoma në top-listat e muzikës si një prej këngëve më të dëgjuara të momentit, është nominuar gjithashtu në dy prej ceremonive më të mëdha të ndarjes së çmimeve amerikane dhe britanike, respektivisht në ‘Grammy Awards 2023’ dhe në ‘Brit Awards 2023’.
Në ‘Grammys’ ata janë nominuar për çmimin “Kënga më e mirë ritmike/elektronike”, gjersa në ‘Brits’, dyshja e suksesshme luftojnë për të marrë në duar çmimin “Kënga më e mirë ndërkombëtare”.
YouTube Music hap Listening Room me një abonim 1-vjeçar falas në këmbim të komenteve
Zhvilluesit që qëndrojnë pas YouTube Music kanë njoftuar një Listening Room (Dhomës së dëgjimit) të ri – një kanal Discord për përdoruesit që të japin ‘feedback’ mbi veçoritë e qasjes së hershme.
Çdokush mund të aplikojë dhe duhet t’i përgjigjet një pyetësori në lidhje me llojin e tyre muzikor dhe abonimin e tyre të zgjedhur.
Kërkesat janë që ju duhet të jeni një adhurues i muzikës, të jepni komente të rregullta përmes bisedave dhe sondazheve dhe të përdorni YouTube Music si shërbimin tuaj kryesor të transmetimit audio për një vit, raporton GSM Arena.
Nëse pranohet kjo kërkesë, ai 1 vit vjen falas si pjesë e programit dhe do të keni qasje të hershme në veçoritë e reja dhe “një shans për të ndikuar në të ardhmen e YouTube Music”.
Aplikantëve u kërkohet të mos ndajnë asnjë informacion, as të bëjnë “screenshot”, foto ose të regjistrojnë ndonjë gjë nga Listening Room.
YouTube Music do të kontaktojë aplikantët e miratuar në muajin shkurt./Katror.info