Autorja dhe ilustratorja Lida Berisha ka prezantuar librin e saj më të ri “Meet the Balkans” në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke ndarë me publikun rrugëtimin që e çoi drejt krijimit të kësaj vepre unike. Libri, që përzien ilustrimin me humorin dhe satirën, synon të ofrojë një pasqyrë autentike dhe të drejtpërdrejtë mbi kulturën dhe shoqërinë ballkanike.
“Gjithmonë më ka pëlqyer të shkruaj”, tha Berisha gjatë intervistës. “Fillova me analiza të sjelljes së norvegjezëve dhe pastaj vetvetiu lindi pyetja: po ne, çfarë jemi? Fillimisht ishin shkrime të vogla, pastaj ilustrimet vetëm ia bashkëngjita.”
Berisha ka jetuar në disa vende të Ballkanit dhe përvoja e saj ndërkulturore, sidomos ajo në Norvegji, e ka ndihmuar të shohë me sy kritik e njëkohësisht dashamirës vlerat dhe sfidat e shoqërisë ballkanike. Ajo theksoi se shpesh në Ballkan fokusohemi te mangësitë, duke harruar të çmojmë anët pozitive të kulturës sonë të pasur.
“Kur distancohemi ose kur përballemi me një kulturë tjetër, siç më ndodhi mua në Norvegji, e shohim më qartë se çfarë kemi dhe çfarë na mungon,” u shpreh ajo.
Libri “Meet the Balkans” është konceptuar si një “guidë sociale” për të huajt që duan të kuptojnë më mirë mentalitetin, zakonet dhe paradokset e rajonit. Me humor dhe ilustrime të goditura, Berisha i qaset realitetit ballkanik pa idealizim, por edhe pa cinizëm të tepërt.
“Ka shumë interes për të na njohur, por ne duhet ta tregojmë veten siç jemi,” përfundoi ajo.
“Meet the Balkans” vjen si një thirrje për vetëreflektim dhe prezantim të sinqertë të identitetit ballkanik — një vepër që fton për të qeshur, por edhe për të menduar./Katror.info