Drejtues e përfaqësues të institucioneve bibliotekare të rajonit dhe përtej pritet të mblidhen në Prishtinë në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është zgjedhur nikoqire e ngjarjes. Serbia dhe Bosnja kanë qenë neutrale që pikëtakimi i vitit të ardhshëm të jetë kryeqyteti i Kosovës.
Në ngjarjen më të rëndësishme për bibliotekat e rajonit, Prishtina bëhet për të parën herë nikoqire. Biblioteka qendrore e shtetit, “Pjetër Bogdani”, si hapësirë për të akomoduar ngjarjet e saj vjen si rrjedhojë e paraqitjes së kandidaturës nga drejtoresha e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha për ta organizuar atë.
“Në kongresin e këtij viti, i cili është mbajtur në Shkup më datat 28, 29 dhe 30 shtator, Biblioteka Kombëtare ka marrë pjesë dhe aty e kam paraqitur kandidaturën e Bibliotekës sonë për të qenë nikoqire e këtij kongresi. Është diskutuar nga drejtorët, e kanë pritur shumë mirë idenë dhe kanë qenë të gëzuar që Kosova për të parën herë po kandidon për të qenë nikoqire. Mandej Biblioteka e Maqedonisë, në një komunikim zyrtar u ka dërguar njoftimin të gjitha bibliotekave që janë pjesëmarrëse dhe shumica e kanë aprovuar dhe kanë qenë entuziastë që do të mbahet në Kosovë”, ka thënë ajo.
Ka bërë me dije se Serbia dhe Bosnjë Hercegovina nuk kanë reaguar fare në lidhje me këtë.
“Vetëm Serbia dhe Bosnja nuk kanë reaguar fare, nuk e kanë aprovuar, por as nuk e kanë kundërshtuar, megjithëse vendimi merret me shumicë të anëtarëve. Ne i kemi propozuar datat tona, ata i kanë aprovuar”, ka thënë drejtoresha Rogova-Gaxha më tej.
Sipas Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, mbështetja nga shumica e anëtarëve të Rrjetit të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore paraqet vlerësim të rëndësishëm për rolin dhe kontributin e BKK-së në fushën e kulturës dhe dijes në rajon.
Pas Mbledhjes së Përgjithshme Vjetore që u organizua muajin e kaluar në Shkup, në Prishtinë zhvillohet takimi i 13-të më 28, 29 dhe 30 shtator të vitit të ardhshëm. Aty do të mblidhen drejtuesit e bibliotekave kombëtare nga vendet e Evropës Juglindore për të shkëmbyer përvoja, për të zhvilluar projekte të përbashkëta si dhe për të forcuar rrjetëzimin midis këtyre institucioneve.
Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore është rrjet i drejtorëve të bibliotekave kombëtare dhe përfaqësuesve të lartë nga vendet brenda rajonit të Evropës Juglindore.
Sipas prezantimit, ky rrjet shërben si forum thelbësor për nxitjen e bashkëpunimit, ndarjen e ekspertizës dhe diskutimin e sfidave dhe përparimeve të përbashkëta në shërbimet bibliotekare specifike për rajonin.
Bëhet me dije se pjesëmarrësit angazhohen në dialog mbi prioritetet strategjike, praktikat më të mira në fusha të tilla si digjitalizimi, ruajtja, shërbimet e përdoruesve dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal. Konferenca mblidhet çdo vit, zakonisht duke kaluar përgjegjësitë e organizimit midis bibliotekave anëtare, duke forcuar kështu lidhjet profesionale dhe duke promovuar zhvillimin kolektiv nëpër bibliotekat kombëtare të përfshira.
Sipas Blerina Rogova-Gaxhës, organizimi i kësaj mbledhjeje në Prishtinë e vë vendin në hartën e bibliotekave të rajonit e më gjerë.
“Përparësia e organizimit të këtij kongresi, e para është se e vë vendin tënd në hartën e bibliotekave, jo vetëm të Evropës Juglindore, por edhe të kontinentit, sepse marrin pjesë edhe nga Australia edhe nga Zelanda, por kryesisht vendet e Evropës Juglindore. Shkëmbimi i përvojave me bibliotekat e tjera, diskutimi i problematikave të bibliotekave midis profesionistëve, pikërisht vitin e ardhshëm në këtë kongres që do të mbahet në Kosovë”, ka thënë ajo duke bërë me dije se Inteligjenca Artificiale do të jetë prej temave të mbledhjes.
“Në kongresin e Shkupit e kemi diskutuar që çështja në Kosovë do të jetë përdorimi i Inteligjencës Artificiale në shërbimet bibliotekare, me ç’rast ne do të zhvillojmë një hulumtim në praktikat e këtyre bibliotekave dhe mundësitë që kanë në përdorimin e IA në shërbimet bibliotekare. Pasi ta bëjmë këtë vëzhgim, me punëtorë dhe drejtues të bibliotekave do të diskutojmë pikërisht këtë temë dhe këto gjetje, në kongresin që do të mbahet në Kosovë. Qëllimi është mënyra e formësimit të shfrytëzimeve bibliotekare nëpërmjet përdorimit të IA”, ka thënë ajo më tej.
Po tema e Inteligjencës Artificiale dhe e drejta e autorit kanë qenë një lloj nënteme e “Javës së Bibliotekës” që e organizon përvitshëm Biblioteka Kombëtare. Në edicionin e 22-të që u zhvillua këtë muaj për këtë temë janë zhvilluar edhe diskutime me ekspertë kombëtarë.
Sipas Bibliotekës, detajet më të qarta rreth programit të takimit dhe aktiviteteve tjera pritet të bëhen publike në muajt në vijim, por drejtuesja e këtij institucioni ka thënë se midis tjerash do të jetë edhe tema e adaptimit të teknologjisë në shërbime bibliotekare.
“Në këtë Kongres në Prishtinë përpos që secila bibliotekë do të paraqesë sfidat dhe arritjet e veta në fushën e teknologjisë informative dhe adaptimit të kësaj teknologjie në shërbime bibliotekare, ne kemi menduar të kemi edhe një konferencë ndërkombëtare mbi trashëgiminë kulturore, por këtë nuk e kemi vendosur ende. Por kjo është tema, shkëmbimi i përvojave dhe ndihma që bibliotekat simotra mund të na japin neve si Kosovë, por edhe vendeve të tjera, nga eksperiencat e tyre”, ka thënë ajo midis tjerash.
Ka bërë të ditur se BKK ka buxhet të mjaftueshëm për organizimin e kësaj ngjarjeje dhe se e ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës për çdo nevojë të saj.
“Biblioteka Kombëtare ka buxhet të mjaftueshëm për organizimin, por për këtë është njoftuar edhe Ministria e Kulturës dhe na kanë përkrahur plotësisht që sipas nevojave tona, na përkrahin nëse kemi nevoja financiare për këtë ngjarje. Kemi përkrahje të madhe nga Ministria dhe kjo është shumë e rëndësishme për institucionin”, ka bërë të ditur drejtoresha Blerina Rogova-Gaxha në një bisedë për KOHËN./Katror.info













