Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, kanë pritur sot në takim anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank, Burkhard Balz, së bashku me ekipin e tij.
Sipas një njoftimi zyrtar, gjatë takimit, z. Balz përgëzoi institucionet e Kosovës për përparimin e qëndrueshëm në fushën makroekonomike dhe financiare, duke vlerësuar stabilitetin dhe përkushtimin e treguar në këto sektorë.
Zëvendëskryeministri Bislimi, nga ana e tij, e informoi z. Balz për arritjet e Kosovës dhe për vlerësimet pozitive të marra nga institucionet ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet Bundesbank dhe BQK-së, bashkëpunim ky që ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të bankës qendrore të vendit.
Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë e mbështetjes së mëtejme për procesin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare financiare, si dhe për zhvillimet më të fundit në fushën e inovacionit financiar dhe projekteve digjitale.
Z. Bislimi ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur BQK-në në funksion të thellimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Deutsche Bundesbank.
Në fund të takimit, u diskutua edhe për përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), proces i cili aktualisht është i bllokuar si pasojë e dërgimit të disa ligjeve të rëndësishme në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe institucioneve financiare të Bashkimit Evropian./Katror.info