Bob Dylan ndryshoi gjithçka që muzika përfaqësonte deri në atë kohë. Ai e ngriti folk rock-un në përmasa globale dhe e popullarizoi këngën e protestës. Dylan dëshmoi se edhe këngët më të gjata mund të bëhen hite. Ai krijoi një nga videot muzikore më të hershme dhe i prezantoi Beatles-at me marihuanën, duke ndikuar, ndër të tjera, në evolucionin e tyre si muzikantë me një krijimtari më të thellë intelektuale.
Ndërkohë, grupit Rolling Stones dhe gjithë krijuesve të tjerë të rock-ut, ai u tregoi mënyrën e protestës dhe rebelimit në muzikë, ndërsa muzikantëve me ngjyrë u hapi rrugën se si mund të luftonin me muzikë për të drejtat civile. Sam Cooke, këngëtari i njohur i soul-it, e shkroi “A Change Gona Come” nën ndikimin direkt të Bob Dylani-t.

Në hemisferën lindore, ai u bë frymëzim për muzikantët modestë që të kalonin në disidencë me muzikën e tyre. Në Rusi ishte Boris Grebenshçikov, ndërsa në Çekosllovaki Karel Kryl. Njërit i thonin “Bob Dylani rus”, tjetrit “Bob Dylani çek”. Përveç tyre, kishte edhe mijëra të tjerë anembanë botës.
Mesazhi i Bob Dylan-it – ajo që ai thotë, këndon dhe shkruan – nuk përqendrohet te një ide të vetme. Ndonjëherë ai flet për të metat e njeriut, përfshirë edhe të tijat, duke i integruar në tekstet e tij dhe duke iu referuar edhe Biblës.
Ai këndon për reflektimin e njerëzve mbi luftën, politikën dhe Zotin. Herë të tjera, ai trajton çështjet e të drejtave civile. Dylan futi teknika lirike gjithnjë e më të sofistikuara në muzikën e popullarizuar të fillimit të viteve 1960, duke e pasuruar atë me intelektualizmin e letërsisë dhe poezisë klasike.
Tekstet e tij përmbanin ndikime politike, sociale dhe filozofike, duke sfiduar konvencionet e muzikës pop dhe duke bërë thirrje për kundërkulturën në rritje. Ai vendosi standardet për shkrimin e lirikave dhe solli një dimension të ri në tekstet e rock and roll-it, duke i pasuruar me elemente letrare dhe tematika më të thella.
I përshëndetur si “Shekspiri i gjeneratës së tij”, Dylan ka botuar “Tarantula”, një vepër me poezi në prozë; “Kronikat”, Vëllimi i Parë, pjesën e parë të kujtimeve të tij, disa libra me tekstet e këngëve të tij dhe nëntë libra mbi artin e tij.
Libri i tij i tretë i plotë, “Filozofia e Këngës Moderne”, që përmban 66 ese mbi këngë nga artistë të tjerë, u botua më 1 nëntor 2022. Që nga viti 1994, ai ka botuar edhe nëntë libra me piktura dhe vizatime dhe është ndër artistët më të cituar nga artistët modernë.
Dylan gjithashtu ka qenë subjekt i biografive dhe studimeve të shumta kritike.
Dylan shiti qindra miliona albume muzikore, shkroi më shumë se 500 këngë, të incizuara nga më shumë se 2000 artistë dhe të interpretuara në të gjithë botën, pothuajse në të gjitha gjuhët.
Bob Dylan (Robert Zimmerman) lindi më 24 maj 1941 në Duluth, Minnesota, Shtetet e Bashkuara. Ai u rrit në qytetin e minierave Hibbing, në verilindje të Minnesotës.
Dylan bleu kitarën e tij të parë në vitin 1955, në moshën 14-vjeçare.
Gjatë kohës sa ishte student, ai zbuloi lagjen boheme të Minneapolisit, të njohur si Dinkytown. I magjepsur nga poezia e lëvizjes Beat dhe folk këngëtarit Woody Guthrie, ai filloi të performonte muzikë folk në kafene, duke marrë mbiemrin Dylan (sipas poetit uellsian Dylan Thomas). I vendosur për të takuar Guthrie-n, i cili ndodhej në një spital në Nju Xhersi, ai u zhvendos në Bregun Lindor.
Duke mbërritur në Greenwich Village në fund të janarit 1961, Dylan u përball me një dimër të ashpër tipik të Nju Jorkut. Si një shpirt i mbijetuar, ai u mbështet te bujaria e dashamirësve të ndryshëm, të cilët, të magjepsur nga performancat e tij në Folk klubin Gerde’s në Greenwich Village, i siguruan ushqim dhe strehim. Shpejt krijoi ndjekës besnikë dhe, brenda katër muajsh, u punësua për të luajtur harmonikë në një seancë incizimi të këngëtarit dhe aktorit të njohur Harry Belafonte.
Pas një recensioni lavdërues nga Robert Shelton në The New York Times për një nga shfaqjet e tij live në shtator 1961, producenti i talenteve John Hammond u interesua për të dhe e nënshkroi me Columbia Records. Atje, pamja e tij e parregullt dhe këngët e tij me rrënjë folklorike i sollën pseudonimin me ironi “Hammond’s Folly” (Marrëzia e Hammondit).
Albumi i parë i Dylan-it u publikua në mars të vitit 1962 dhe u prit me komente të ndryshme. Zëri i tij—një vajtim i ndërthurur me patos të rajonit Midwest (Perendimi i mesëm) dhe me një ndikim të dukshëm nga Guthrie—hutoi shumë kritikë. Ishte një tingull me të cilin duhej kohë për t’u mësuar.
Në vitin 1963, Dylan nuk ishte ende ai që do të bëhej zëri i një brezi. Ai nuk e kishte publikuar ende albumin e tij të dytë “The Freewheelin’ Bob Dylan”, dhe ishte ende në kërkim të hapit të madh në karrierën e tij. Ed Sullivan ia ofroi këtë mundësi në shfaqjen më të famshme televizive të asaj kohe “Ed Sullivan Show” por ai zgjodhi të largohej nga shfaqja në vend që t’i nënshtrohej censurës.
Refuzimi i tij erdhi si pasojë e vendimit të drejtuesve të CBS për të mos e lejuar të interpretonte këngën e tij satirike me përmbajtje politike “Talkin’ John Birch Paranoid Blues” (Shoqëria John Birch – JBS është grup amerikan i avokimit politik të krahut të djathtë). Ajo këngë nuk ishte thjesht zbavitëse, por një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj institucioneve, prandaj nuk u konsiderua e përshtatshme për një audiencë familjare televizive.
Siç ndodh shpesh kur një artist refuzon të performojë, shumë njerëz e panë Dylanin si një prima donna arrogante. Megjithatë, refuzimi i tij ishte një veprim i menduar dhe me integritet. “Bob, me të drejtë, tha: ‘Jo, kjo është ajo që dua të bëj. Nëse nuk mund ta luaj këngën time, më mirë të mos paraqitem në shfaqje fare’”, kujton producenti Bob Precht për History.com.
Ky vendim e dalloi Dylanin. Çdo artist që shfaqej në këtë program zakonisht shndërrohej në një emër të njohur dhe komercial. Por kjo nuk ishte në përputhje me natyrën e tij. Mund të supozohet se ai e mori këtë vendim jo vetëm për të kundërshtuar censurën, por edhe sepse e kuptoi se pjesëmarrja në këtë shfaqje do të dëmtonte ndikimin e tij. Nëse do të kishte interpretuar, mesazhet e tij politike mund të ishin zbehur nga atmosfera komerciale e programit.
Pavarësisht nëse kjo ishte ose jo në mendjen e Dylanit në atë moment, vendimi i tij la gjurmë. Ai nuk ishte një idhull i zakonshëm për adoleshentët e zhurmshëm; përkundrazi, e kuptoi se refuzimi i kësaj mundësie do t’i siguronte pikërisht audiencën që dëshironte. Për më tepër, kompozimet i tij të para, “Blowin’ in the Wind” (Fryn në erë) dhe “A Hard Rain’s a-Gonna Fall” (Do të bjerë shi i rëndë) tregoi se ai nuk ishte një artist i zakonshëm, ishte e kundërta e gjithçkaje që ishte e zakonshme në muzikë deri atëherë. Bob Dylan, atë vit, së bashku me disa muzikantë të zgjedhur, mori pjesë në marshimin e famshëm për të drejtat civile në Uashington, krahas Martin Luther King Jr.
Duke qenë pjesë e këtij marshimi, Dylan ndihmoi që kjo ngjarje të fitonte vëmendje jo vetëm nga zyrtarët në Uashington, por edhe nga rinia amerikane.
Në krahasim me albumin e parë, albumi i dytë i Dylan-it “The Freewheelin” Bob Dylan (i publikuar në maj të vitit 1963), tingëllonte si një thirrje e qartë. Të rinjtë e asimiluan shpejt zërin e tij të veçantë, i cili krijoi një ndarje midis brezave—prindërve dhe fëmijëve—duke e vendosur atë në zemër të kundërkulturës që ishte në rritje, si “një rebel me një kauzë”.
I mbështetur nga doajenja e muzikës popullore, Joan Baez, Dylan bëri paraqitjen e tij të parë në Festivalin Folklorik të Njuportit dhe praktikisht u kurorëzua si mbreti i Folk muzikës. Kënga profetike që i dha titullin albumit të tij të ardhshëm, “The Times They Are A-Changin” (1964), u bë menjëherë një himn. Miliona njerëz iu bashkuan kësaj fryme të aktivizmit shoqëror përmes vargjeve të tij.
Dylan në këtë fazë perceptohej si një këngëtar protestues, një artist i ngarkuar politikisht, me një agjendë krejt ndryshe. Ai krijoi imitues në kafene e edhe në etiketa diskografike, klube letrare, nëntokën avangardë dhe kudo ku mendohej se muzika dhe poezia duhet t’i drejtohej popullit me ndonjë mesazh. Ishte jashtë çdo imagjinate se si një figurë e vogël, me pamje jokonvencionale dhe vetëm me një kitarë e harmonikë goje dhe me disa strofa poezie, mund të kishte aq ndikim në nëndijen amerikane.
Në Festivalin Folklorik të Njuportit të vitit 1964, ndërsa parashikonte këngët nga “Another Side of Bob Dylan”, ai ngatërroi audiencën e tij kryesore duke interpretuar këngë të një natyre më personale në vend të repertorit të tij protestues. Edhe pse tekstet e tij të reja ishin po aq sfiduese sa kompozimet e tij të mëparshme, një reagim i ashpër nga fansat e folkut purist filloi dhe vazhdoi për tre vjet, pasi Dylan sfidoi konventat në çdo hap.
Në albumin e tij të radhës “Bringing It All Back Home” (1965), instrumentet elektrike u përdorën hapur – një shkelje e dogmës folk – dhe u përfshinë vetëm dy këngë proteste. Grupi folk-rock The Byrds interpretoi “Mr. Tambourine Man” nga ky album, duke shtuar kitarë elektrike me 12 tela dhe vokale harmonike në tre pjesë, dhe e çoi atë në vendin e parë në tabelën e këngëve. Artistë të tjerë të rock-ut së shpejti nisën të eksploronin repertorin e Dylan-it dhe iu bashkuan këtij trendi të fuqishëm.
Ndërsa audienca kryesore e Dylan-it u rrit me shpejtësi, fansat e tij puristë të folkut filluan të zemëroheshin. Vorbulla që përfshiu Dylanin është dokumentuar në “Don’t Look Back” (1967), dokumentarin e famshëm mbi turneun e tij në Britani në vitin 1965, me regji nga D.A. Pennebaker.
Në qershor 1965, duke u bashkuar me muzikantë të rock-ut me përvojë dhe të lidhur në mënyrë të lirshme me The Byrds, Dylan regjistroi këngën e tij më të suksesshme sipas shumë kritikëve dhe tekstshkruesëve ndër këngët më të mira të shkruara ndonjëherë.
“Like a Rolling Stone”, tingulli i këngës është përshkruar si revolucionar në kombinimin e kitarës elektrike, akordit të organeve dhe zërit të Dylanit, jashtëzakonisht cinik. Pa referenca të dukshme proteste, e ndërtuar mbi një bazë të ashpër instrumentale dhe me një vokal rrëqethës, që sfidonte kritikët e tij, kënga arriti një audiencë të re. Ishte momenti vendimtar: bota ra nën këmbët e tij.
Albumi që përmban këtë hit, “Highway 61 Revisited” (1965), e forcoi më tej shkëputjen e tij nga imazhi i kantautorit folk. Në Festivalin Folklorik të Newport-it (Rhode Island) të vitit 1965, Dylan shfaqi me guxim tingullin e tij elektrik, i mbështetur kryesisht nga Paul Butterfield Blues Band. Pas një seti të shkurtër 15-minutësh, ai u largua nga skena mes një breshërie ngacmimesh – kryesisht si reagim ndaj shkurtimit të papritur të performancës së tij dhe jo ndaj elektrifikimit të muzikës së tij. Më pas, ai u kthye për një bis akustik me dy këngë.
Gjithsesi, për “tradhtinë” e tij elektrike dhe “dëbimin” e tij nga rrethi folk u shkrua shumë. Performanca në Festivalin Folklorik të Newport-it konsiderohet gjerësisht si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e muzikës rock. Megjithëse ka pothuajse një konsensus për rëndësinë e saj, ka shumë pak pajtim mbi atë që ndodhi saktësisht. Historianët e rock-ut, biografët e Dylan-it dhe dëshmitarët okularë japin rrëfime të ndryshme për reagimin e audiencës ndaj performancës së Dylan-it, arsyet pas këtyre reagimeve dhe mënyrën se si ai u përgjigj.
Një gjë është e qartë, kur Dylan doli në skenë në Newport më 25 korrik 1965, ai ishte figura kryesore e ringjalljes së muzikës folk në fillim të viteve 1960. E bazuar në format muzikore tradicionale amerikane dhe e zhytur në politikën populiste të viteve 1930, kjo ringjallje u ndërthur me lëvizjen në vazhdim për të drejtat civile dhe lulëzoi përmes shkrimit të këngëve të angazhuara.
Në thelb të kësaj lëvizjeje qëndronte kërkimi për “autenticitet”, dhe për këtë arsye besohej gjerësisht se muzika e vërtetë folk duhej të luhej vetëm me instrumente akustike. Puristët e muzikës folk kishin pak respekt për rock and roll-in, të cilin shumica e tyre e shihnin si infantil dhe tepër komercial. Dhe kështu, debati vazhdon, dekada pas ngjarjes.
Por, ajo që askush nuk e mohon është se muzika Folk dhe Rock-u nuk ishin kurrë më të njëjtat pas asaj dite të paharrueshme në Newport. Në shkurt të vitit 1966, me sugjerimin e producentit të tij të ri, Bob Johnston, Dylan incizoi materiale në studiot e Columbia-s në Nashville, Tennessee, së bashku me Al Kooper, Robie Robertson dhe ajkën e muzikantëve “play-for-pay” të Nashville-it disa prej të cilëve më vonë do të bëheshin të famshëm si “The Band”.
Seancat maratonë 20-orëshe, që zgjatën një javë, prodhuan një album të dyfishtë, i cili i papërpunuar, pothuajse si punk para punk – ut, krahasuar me albumin e mëparshëm. “Blonde on Blonde” u vlerësua nga kritikët dhe e shtyu Dylan-in në zenitin e popullaritetit të tij. Ai bëri turne në Evropë deri në verën e vitit 1966, kur një aksident me motor në Woodstock i dha fund papritur vrullit të tij të mahnitshëm shtatëvjeçar. Duke përmendur një dëmtim të rëndë në qafë, ai u tërhoq në shtëpinë e tij në Woodstock dhe praktikisht u zhduk për dy vjet.
Në vitin 1967, grupi The Band u zhvendos në Woodstock për të qenë më afër Dylan-it. Herë pas here, ata e shtynin atë të hynte në studion e bodrumit të shtëpisë së tyre të përbashkët për të luajtur muzikë së bashku. Incizimet nga këto seanca përfundimisht u bënë albumi i dyfishtë “The Basement Tapes” (1975). Në fillim të vitit 1968, Columbia publikoi një album minimal me këngë të reja të Dylan-it, të titulluar “John Wesley Harding”. Së paku pjesërisht për shkak të kuriozitetit të publikut për izolimin e Dylan-it, albumi arriti në vendin e dytë në tabelën e albumeve të Billboard (tetë vende më lart se albumi Greatest Hits i Bob Dylan-it, i publikuar në vitin 1967).
Në janar të vitit 1968, Dylan bëri paraqitjen e tij të parë pas aksidentit në një koncert përkujtimor për Woody Guthrie në New York City. Imazhi i tij kishte ndryshuar, me flokë më të shkurtër, syze dhe një mjekër të lënë pas dore. Në këtë pikë, Dylan mbajti qëndrimin që do të ndiqte gjatë gjithë karrierës së tij, duke anashkaluar pritshmëritë e kritikëve, ai vazhdonte të ndiqte rrugën e tij, shpesh në drejtim të kundërt me atë që kërkonte shtypi.
Kur audienca dhe kritikët besonin se muza e tij e kishte braktisur, Dylan do të publikonte album me fuqi të plotë, vetëm për t’u tërhequr përsëri. Ai u kthye në Tenesi për të regjistruar “Nashville Skyline” (1969), një album që ndihmoi në lindjen e një zhanri krejtësisht të ri, country rock. Albumi u rendit në vendin e tretë në klasifikime, por për shkak të thjeshtësisë krahasuese të teksteve të tij, disa nisën të pyesnin nëse Dylan kishte humbur fuqinë e tij artistike.
Ndërkohë, albumi i parë bootleg në historinë e rock-ut, “The Great White Wonder” – që përmbante regjistrime të papublikuara dhe “të çliruara” të Dylan-it – u shfaq në dyqane të pavarura diskografike. Metodat e shpërndarjes së tij ishin të mbuluara me fshehtësi (sigurisht që Columbia, kontrata e së cilës me Dylan u shkel nga ky album, nuk ishte e përfshirë). Gjatë çerek shekullit të ardhshëm, Dylan vazhdoi të regjistronte, të bënte turne sporadikë dhe të nderohej gjerësisht, megjithëse ndikimi i tij nuk ishte më aq i madh apo i menjëhershëm sa kishte qenë në vitet 1960.
Në gusht të 1970, Dylan bëri një paraqitje të rrallë në një koncert bamirësie të organizuar nga ish-anëtari i Beatles, George Harrison, për kombin e sapopavarur të Bangladeshit. Në fund të vitit, Dylan bleu një shtëpi në Malibu, Kaliforni, pasi ishte larguar nga Woodstock për në New York City që në vitin 1969. Në vitin 1973, ai u shfaq në filmin e regjisorit Sam Peckinpah “Pat Garrett and Billy the Kid”, dhe kontribuoi në kolonën zanore, duke përfshirë këngën “Knockin’ on Heaven’s Door” (“Trokitja në derën e parajsës”). Një antologji me shkrime dhe vizatime, përfshirë tekste dhe poezi të tij, u botua vitin pasues.
Në vitin 1974, ai bëri turne për herë të parë pas tetë vitesh, duke u ribashkuar me The Band (të cilët tashmë ishin artistë të njohur më vete). Albumi “Before the Flood”, që dokumentonte atë turne, arriti në vendin e tretë në renditjen muzikore.
I publikuar në janar 1975, albumi i ardhshëm i Dylan-it, “Blood on the Tracks”, shënoi një rikthim në formën e tij më të mirë lirike. Albumi arriti në krye të tabelës së albumeve të Billboard, ashtu si edhe “Desire”, i publikuar një vit më vonë. Në vitet 1975 dhe 1976, Dylan ndërmori një turne të pazakontë në Amerikën e Veriut, me një trupë artistësh nomadë. Ai njoftonte koncertet vetëm disa orë përpara shfaqjeve përmes intervistave në radio. I filmuar dhe i regjistruar, turneu Rolling Thunder Revue – ku morën pjesë edhe Joan Baez, Allen Ginsberg, Ramblin’ Jack Elliott dhe Roger McGuinn – u shfaq në ekranet e kinemave në vitin 1978 si pjesë e filmit “Renaldo and Clara”, një produksion katër-orësh i modifikuar nga vetë Dylan.
Në vitin 1978, Dylan organizoi një turne botëror njëvjeçar dhe publikoi albumin, “Street-Legal”, si dhe albumin live “Bob Dylan at Budokan”. Në një kthesë dramatike, ai u konvertua në krishterim në vitin 1979 dhe për tre vjet regjistroi e interpretoi vetëm materiale me temë fetare, madje predikonte midis këngëve gjatë shfaqjeve live.
Kritikët dhe dëgjuesit mbetën të hutuar edhe një herë. Megjithatë, në vitin 1980, Dylan fitoi çmimin Grammy për performancën më të mirë vokale rock me këngën e tij gospel “Gotta Serve Somebody”. Në vitin 1982, kur Dylan u fut në Songwriters Hall of Fame zelli i tij i hapur për krishterimin po zbehej.
Në vitin 1985, ai mori pjesë në incizimin bamirës të këngës “We Are the World”, organizuar nga Quincy Jones, dhe botoi librin e tij të tretë, Lyrics: 1962–1985. Më 1988, u fut në Rock and Roll Hall of Fame dhe po atë vit, në shtëpinë e tij në Malibu, u formua grupi Traveling Wilburys (Dylan, Tom Petty, Georger Harrison, Jeff Lynne dhe Roy Orbison), i cili publikoi albumin e tij të parë.
Po atë vit më 7 qershor Dylan filloi “The Never Ending Tour”. Turneu mblodhi një bazë të madhe fansash që udhëtonin nga e gjithë bota për të ndjekur sa më shumë shfaqje të mundshme të Dylanit. Turneu vazhdon ende dhe ka kaluar numrin prej 3,000 shfaqjesh.
Andrew Muir studius i Bob Dylan i cila i ka shkruar katër libra të tjerë për të, botoi ”Razor’s Edge: Bob Dylan and the Never Ending Tour në shtator 2001. Libri tregon 15 vitet e para të Never Ending Tour nga këndvështrimi i një fansi të përkushtuar, duke analizuar se si Dylan ndryshon interpretimet e këngëve të tij dhe duke eksploruar motivimet e tij të mundshme. Në korrik 2013, Muir përditësoi Razor’s Edge kur botoi “One More Night: Bob Dylan’s Never Ending Tour” nga 1988 deri në 2011.
Në vitin 1989, Dylan u rikthye në formë me “Oh Mercy”. Kur revista Life publikoi një listë të 100 amerikanëve më me ndikim të shekullit të 20-të në vitin 1990, Dylan u përfshi në të. Ai u quajt “poet mjeshtër, kritik shoqëror kaustik dhe shpirt i guximshëm, udhëheqës i brezit të kundërkulturës”.

Në vitin 1991, ai mori çmimin për arritje jetësore nga Akademia e Incizimeve.
Në vitin 1992, Columbia Records festoi 30-vjetorin e nënshkrimit të Dylan me një koncert madhështor në New York City, i cili më vonë u publikua si album dhe video e dyfishtë. Si pjesë e inaugurimit të Bill Clinton si president i SHBA-së në vitin 1993, Dylan interpretoi “Chimes of Freedom” (Tingujt e Lirisë) para Memorialit të Lincolnit. Me afrimin e fundit të viteve 1990, Dylan, të cilin Allen Ginsberg e quajti poeti më i madh i gjysmës së dytë të shekullit XX, interpretoi për Papën në Vatikan.
Në vitin 1998, në një lloj rikthimi, ai fitoi tre çmime Grammy – duke përfshirë Albumin e Vitit – për “Time Out of Mind” (1997). Në vitin 2000, ai u nderua me një Golden Globe dhe Oscar për këngën më të mirë origjinale “Things Have Changed” nga filmi “Wonder Boys.
Një tjetër Grammy fitoi për Albumin më të Mirë Folk Bashkëkohor në 2002, për “Love and Theft”(2001). Në vitin 2003, ai shkroi dhe luajti në filmin “Masked & Anonymous” dhe filloi të favorizonte pianon në vend të kitarës gjatë paraqitjeve live. Vitin tjetër, ai publikoi atë që parashikohej të ishte e para në një seri autobiografish “Kronika”: Vëllimi 1.
Në vitin 2005, “No Direction Home”, një dokumentar i drejtuar nga Martin Scorsese, u shfaq në televizion. Katër orë i gjatë, por duke mbuluar karrierën e Dylanit vetëm deri në vitin 1967, ai u përshëndet gjerësisht nga kritikët. Një album prej kolonave zanore, që përfshinte 26 këngë të papublikuara më parë, doli para transmetimit të dokumentarit.
Në vitin 2006, Dylan e ktheu vëmendjen e tij te radioja satelitore si prezantues i emisionit të përjavshëm “Theme Time Radio Hour” dhe publikoi “Modern Times”, i cili fitoi çmimin Grammy për albumin më të mirë Folk bashkëkohor. Dylan mori gjithashtu një çmim për performancën më të mirë solo vokale rock për “Someday Baby”.

Në vitin 2009, Dylan publikoi “Together Through Life”, i cili debutoi në krye të listave të albumeve britanike dhe amerikane. Ai vazhdonte të performonte aktivisht, edhe kur hyri në të 70-at, dhe albumi i tij i 35-të në studio, “Tempest” (2012), u vlerësua nga kritikët e muzikës, të cilët vlerësuan ndikimet e saj muzikore tradicionale dhe tekstet e errëta të Dylanit.
Ky album e ktheu atë energjik si kurrë më parë. Dylan më pas e ktheu vëmendjen te i ashtuquajturi Libri i Këngëve të Madhe Amerikane, veçanërisht standardet e regjistruara nga Frank Sinatra dhe Billie Holliday.
Albumet që pasuan – “Shadows in the Night” (2015), “Fallen Angels” (2016) dhe “Triplicate” me tre disqe (2017) – morën lavdërime për interpretimet e tij emocionale dhe të thella. Ai u kthye sërish në formën spektakolare lirike me “Rough and Rowdy Ways” dhe “Shadow Kingdom” (2020).
Ndikimi i tij në botën e muzikës ishte i jashtëzakonshëm, pasi ai ishte një nga muzikantët e parë që mori një rol aktiv në çështjet morale. Dylan luajti një rol thelbësor në bashkimin e njerëzve përmes muzikës së tij. Nëse ai nuk do të kishte qenë aty, shumë lëvizje mund të mos kishin qenë aq të suksesshme, pasi do t’u mungonte një ikonë e kulturës pop si Dylan, i cili ishte një zë i fuqishëm dhe një avokat i kauzave të rëndësishme.
Dylan është përshkruar si një nga figurat më të ndikueshme të shekullit të 20-të, si muzikalisht ashtu edhe kulturalisht. Por, personaliteti i tij kompleks ishte gjithmonë i vështirë për t’u zbërthyer. I vendosur dikur në mes të mitit dhe simbolit, gjithmonë ka qenë sfidë të kuptohen motivet dhe inspirimet nga ka thithur ai. David Bowie në këngën e tij “Song for Bob Dylan” e quajti atë “Refugjat i secilit komb”. Për të luajtur karakterin e tij kompleks në filmin “I’m Not There” të regjisorit Todd Haynes, u deshën gjashtë aktorë të ndryshëm. Njëri prej tyre ishte një fëmijë me ngjyrë, Marcus Carl, ndërsa një tjetër ishte aktorja Cate Blanchett. Aktorët e tjerë në këtë film që luanin karakterin e Dylanit ishin Christian Bale, Richard Gere, Heath Ledger dhe Ben Whishaw. Për jetën e tij, poezinë, muzikën dhe artin pamor të tij janë shkruar mbi 200 libra të zhanreve të ndryshme në shumë gjuhë botërore; vetëm në gjuhën spanjolle janë mbi 40.
Dylan është futur në Sallën e Famës së Rock and Roll-it, Sallën e Famës të Këngëtarëve të Nashville dhe Sallën e Famës së Krijuesve të Këngëve. Në vitin 1997, Presidenti i SHBA, Bill Clinton, i dhuroi Dylanit Nderin e Qendrës Kennedy në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, duke thënë: “Dylan kishte më shumë ndikim te njerëzit e brezit tim se cilido artist tjetër krijues. Zëri dhe tekstet e tij nuk kanë qenë gjithmonë të lehta për vesh, por gjatë gjithë karrierës së tij ai nuk ka synuar kurrë t’i kënaqë njerëzit me fjalë të ëmbla. Ai ka prishur qetësinë, dhe ka shqetësuar të fuqishmit.”
Në maj 2000, Dylan mori çmimin Polar Music Prize nga Mbreti Karl XVI i Suedisë. Në qershor 2007, Dylan mori çmimin Princi i Asturias në kategorinë e Arteve; juria e quajti atë “Mit të gjallë në historinë e muzikës të popullarizuar dhe një dritë për një brez që ëndërronte të ndryshonte botën”.
Në vitin 2008, Bordi i Çmimit Pulitzer i dha atij një citim të veçantë për “Ndikimin e tij të thellë në muzikën e popullarizuar dhe kulturën amerikane”.
Dylan mori Medaljen Presidenciale të Lirisë në maj 2012. Presidenti Barack Obama, duke i dhuruar çmimin, tha se “Nuk ka një gjigant më të madh në historinë e muzikës amerikane”. Obama vlerësoi zërin e Dylanit për “Fuqinë e tij unike të zhavorrit që ripërcaktoi jo vetëm atë që tingëllonte muzika, por edhe mesazhin që ajo mbartte dhe se si i bënte njerëzit të ndiheshin”. Në nëntor 2013, Dylanit iu dha nderimi më i lartë i Francës, Légion d’Honneur.
Në shkurt 2015, Dylan pranoi çmimin “MusiCares Person of the Year” nga Akademia Kombëtare e Arteve dhe Shkencave të Regjistrimit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij filantropik dhe artistik. Ai mori doktoratë nderi në muzikë nga Universiteti Princeton në New Jersey, në vitin 1970, dhe një tjetër nga Universiteti i St. Andrews në Skoci, në vitin 2004. Më 13 tetor 2016, komiteti Nobel njoftoi se do t’i jepte Dylan çmimin “Për krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të këngës amerikane”. The New York Times raportoi: “Z. Dylan, 75 vjeç, është muzikanti i parë që fiton çmimin dhe zgjedhja e tij është ndoshta zgjedhja më radikale në një histori që shtrihet që nga viti 1901”. Horace Engdahl, një anëtar i Komitetit të Nobelit, përshkroi vendin e Dylanit në historinë letrare:
“Këngëtari i denjë për një vend pranë bardëve grekë, pranë poetit romak, Ovidit, pranë vizionarëve romantikë, pranë mbretërve dhe mbretëreshave të blues, pranë mjeshtërve të harruar të standardeve brilante”./Katror.info
Përgatiti:
