Të gjithë e dimë se pirja e duhanit është jashtëzakonisht e dëmshme për shëndetin. Është një zakon që merr miliona jetë çdo vit, është i shtrenjtë, me erë të keqe dhe gjithnjë e më shumë i papranueshëm nga ana sociale.
Përveç aspekteve shëndetësore dhe financiare të pirjes së duhanit, gjithnjë e më shumë njerëz po flasin për ndikimin e tmerrshëm në mjedis. Në fakt, cigaret janë lloji më i madh i mbeturinave në botë. Çdo vit, rreth 4.5 trilion cigare hidhen në mënyrë të papërgjegjshme në natyrë, pesha e tyre është mbi një milion ton dhe ato përbëjnë rreth 20 për qind të mbetjeve të mbledhura nga pastrimi i oqeaneve. Në luftën kundër këtij lloji mbetjesh, u dallua këto ditë një qytet evropian, i cili paralajmëroi rritje të riciklimit të bishtave të cigareve.

Bratislava ka njoftuar se do të fillojë grumbullimin e filtrave të djegur në kontejnerë të veçantë, dhe më pas do të riciklohen dhe do të përdoren për diçka mjaft revolucionare.
Kompania komunale për menaxhimin e mbeturinave OLO nga Bratislava ka njoftuar se fillimisht do të grumbullojë cigare në kontejnerë të posaçëm gjatë ngjarjeve publike që mbahen në qytet. Projekti pilot u lançua gjatë Panairit të Krishtlindjeve të përfunduar së fundmi. Koshat e rinj janë krijuar për të pranuar filtra standardë të cigareve dhe ato nga pajisjet moderne të ngrohjes së duhanit. Vizitorët do të inkurajohen që t’i hedhin cigaret në kontejnerë të rinj dhe edukimi për qëllimin e tyre të ardhshëm do të kontribuojë në këtë.
Bishtat e mbledhura të cigareve do të kthehen në material ndërtimor rrugësh me riciklim, shkruan portali The Mayor.
Rezulton se filtrat mund të përpunohen në fibra të veçanta që më pas përdoren si një aditiv për përgatitjen e asfaltit. Është gjithashtu interesante që në Sllovaki tashmë ekziston një rrugë e bërë nga ky material, me sa duket e para e këtij lloji në botë. Ndodhet në qytetin Zhiar nad Hromom në Sllovakinë qendrore, dhe kompania lokale EcoButt qëndron pas këtij projekti./Katror.info