Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës (DAK) është bërë anëtare e asociuar e organizatës ndërkombëtare të akreditimit “Global Accreditation Cooperation Incorporated”, e njohur në shqip si “Bashkëpunimi i Integruar Ndërkombëtar i Akreditimit”. Vendimi është marrë gjatë takimit vjetor ndërkombëtar të akreditimit, që po mbahet këtë javë në Bangkok të Tajlandës.
Kjo organizatë, e themeluar vitin e kaluar, pritet të jetë organizata e vetme globale e akreditimit, duke bashkuar strukturat ndërkombëtare ekzistuese dhe duke krijuar një kornizë të unifikuar për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjellë të akreditimit në mbarë botën.
Në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thuhet se anëtarësimi i DAK-ut në GAC paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të sistemit të akreditimit në Kosovë dhe përgatitjes për arritjen e Marrëveshjes Multilaterale të Njohjes (MRA), e cila do të mundësojë që certifikatat e lëshuara nga trupat e akredituar në Kosovë të njihen ndërkombëtarisht.
Përmes këtij anëtarësimi thuhet se DAK do të ketë qasje në zhvillimin e politikave globale të akreditimit dhe standardeve teknike, programe trajnimi, punëtori dhe webinare për ngritjen e kapaciteteve profesionale, bashkëpunime dhe projekte me organizata homologe të akreditimit në vende të tjera, rrjetëzim me aktorët kryesorë ndërkombëtarë në fushën e cilësisë dhe vlerësimit të përputhshmërisë.
“Ky proces pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ekonomisë vendore, pasi akreditimi shërben si “pasaporta e produkteve dhe shërbimeve” për tregjet ndërkombëtare. Ai garanton se produktet dhe shërbimet e prodhuara në Kosovë i përmbahen standardeve ndërkombëtare, duke rritur konkurrueshmërinë dhe besueshmërinë e tyre në tregjet e huaja”, thuhet në njoftim.
Në takimet në Bangkok, DAK po përfaqësohet nga Drejtori i Përgjithshëm, Irfan Lipovica, i cili ka theksuar se ky anëtarësim është “një hap strategjik drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të akreditimit të Kosovës dhe një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj cilësisë, standardeve dhe integrimit global”./RTK/Katror.info









