Mbrojtësi i Sunderlandit, Dan Ballard, ka folur për ndikimin e madh që Granit Xhaka ka pasur në skuadër, që kur iu bashkua ekipit anglez nga Bayer Leverkusen në verë, për shumën prej 15 milionë eurosh, përcjell albinfo.ch.
Sipas Ballardit, mesfushori kosovar me përvojë të gjatë në futbollin evropian ka sjellë energji dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm në grup.
“Nuk kam menduar se një lojtar mund të ketë ndikim kaq të madh në skuadër, por Xhaka është motivues i pabesueshëm dhe i ka ngritur standardet. Kur stërvitesh, e ndien se duhet ta impresionosh atë,” – ka deklaruar Ballard për Reuters.
Xhaka, 33-vjeçar, ish-futbollist i Baselit, Borussia Mönchengladbachut dhe Arsenalit, ka qenë ndër më të mirët te Sunderlandi. Ai ka regjistruar tri asistime në tetë ndeshjet e para të Premier League-s, ndërsa nën drejtimin e tij si kapiten, skuadra ndodhet aktualisht në vendin e shtatë me 14 pikë.
Kujtojmë se Sunderlandi u rikthye në Premier League më 24 maj 2025, pas tetë vjetësh mungesë.
Ndeshja e radhës për skuadrën e Xhakës do të zhvillohet të shtunën në “Stamford Bridge” ndaj Chelseat. /Katror.info













