Shtëpia modeste periferike që shërbeu si banesa familjare e ‘Walter White në serialin Breaking Bad‘ është tani zyrtarisht në shitje për 4 milionë dollarë, një çmim gati 10 herë më i lartë se mesatarja e shtëpive në atë zonë.
Sipas të dhënave të kompanisë së pasurive të patundshme Zillow, çmimi mesatar i një shtëpie në këtë kod postar është 421,000 dollarë.
Pronarja e shtëpisë, Joanne Quintana, tha se popullariteti i shtëpisë mes turistëve, të cilët janë fansa të serialit të famshëm, ka ndikuar negativisht në cilësinë e jetës së familjes së saj.
“Kjo ka qenë shtëpia jonë familjare që nga viti 1973, gati 52 vjet,” tha ajo për stacionin lokal televiziv KOB4.
“Kështu që do të largohemi vetëm me kujtimet tona, ka ardhur koha të vazhdojmë përpara. Mbaruam, Nuk ka arsye të luftojmë më” ka thënë ajo, për The Guardian, përcjell Katror.info.
Shtëpia u përzgjodh për herë të parë nga ekipi i Breaking Bad në vitin 2006.
“Ata u prezantuan dhe i dhanë [nënës sime] një kartë dhe thanë: ‘Duam ta përdorim shtëpinë tuaj për një episod pilot’,” tha Quintana.
Gjatë pesë sezoneve të serialit, që u transmetua nga viti 2008 deri në 2013, pjesët e jashtme dhe oborri i shtëpisë por jo brendësia u përdorën gjerësisht për të përshkruar shtëpinë e Walter White, një mësues kimie që fillon të prodhojë metamfetaminë pas një diagnoze me kancer.
Për më shumë se një dekadë, shtëpia ka tërhequr turma fansash ndonjëherë me pasoja.
Quintana tha se mesatarisht 300 makina kalojnë çdo ditë pranë shtëpisë.
Në vitin 2015, nëna e saj tashmë e ndjerë, Fran Padilla, kishte thënë se ishin rrethuar nga vizitorë që përpiqeshin të rikrijonin një skenë nga Breaking Bad, ku White hedh një picë mbi çati.
“Na kanë hedhur pica në çati. Na kanë hedhur pica në oborr; pica deri sa u lodhëm duke parë pica,” tha Padilla për NPR.
Po atë vit, krijuesi i Breaking Bad, Vince Gilligan, u bëri thirrje fansave të ndalonin shqetësimin e familjes. “Nuk ka asgjë origjinale, as qesharake apo interesante në faktin që hidhni një picë mbi çatinë e kësaj gruaje,” tha ai.
Pas një incidenti kur një vizitor la një pako të adresuar për Walter White në pragun e derës së tyre, Quintana dhe vëllezërit e saj vendosën të rrisin masat e sigurisë.
“Vëllezërit e mi thanë: Mbaruam. Do të ngremë gardh,” tha Quintana për KOB4. “Ishte shumë afër për komoditet.”
Çmimi i lartë i listimit reflekton vlerën e pritshme të shtëpisë si një artefakt i çmuar ose destinacion turistik, në vend që të mbetet një banesë familjare.
“Shpresojë që ta kthejnë në atë që duan fansat,” tha Quintana. “
Ata duan një B&B, duan një muze, duan qasje në të, le ta bëjnë! tha ajo. /Katror.info
Përgatiti:
