Aftësia e pajisjeve për të nxjerrë përfundime, për të mësuar, për të planifikuar dhe për të qenë krijues është bërë veçanërisht e popullarizuar vitin e kaluar për shkak të Chat GPT
Tregu global i inteligjencës artificiale mund të arrijë një vlerë deri në 1.8 trilion dollarë deri në vitin 2030, sipas parashikimeve të kompanisë kërkimore të tregut Next Move Strategy Consulting. Vetë koncepti i tregut të inteligjencës artificiale përfshin disa industri – nga zinxhirët e furnizimit, marketingu, kërkimi, zhvillimi i produktit deri te kostoja e punës së ekspertëve. Dy vite më parë vlera e saj ishte 95.9 miliardë dollarë, në vitin 2022 do të jetë 142.2 miliardë dollarë, ndërsa këtë vit vlerësohet në 207.9 miliardë dollarë. Kështu, sipas parashikimeve, në më pak se një dekadë (nga 2021 në 2030), kjo vlerë mund të rritet deri në 19 herë, shkruan Katror.info.
Megjithëse disa teknologji të inteligjencës artificiale kanë ekzistuar për më shumë se 50 vjet, vitet e fundit përparimet në fuqinë kompjuterike, disponueshmëria e sasive të mëdha të të dhënave dhe algoritme të reja kanë çuar në përparime të mëdha. Aftësia e pajisjeve për të nxjerrë përfundime, për të mësuar, për të planifikuar dhe për të qenë kreativë u bë veçanërisht e njohur vitin e kaluar falë Chat GPT, pas së cilit qëndron kompania amerikane e kërkimit, OpenAI. Trendi u ndoq nga Microsoft dhe Google, dhe inteligjenca artificiale u aplikua nga aplikacioni për mësimin e gjuhëve të huaja Duolingo, mjeti i korrigjimit të gramatikës Grammarly dhe shumë të tjerë. Ky është pikërisht shpjegimi i rritjes së shpejtë të vlerës së tregut, sepse pothuajse çdo kompani teknologjike që ka një vizion afatgjatë biznesi duhet të jetë në hap me zhvillimin dhe aplikimin e inteligjencës artificiale.
Daktilografistët, këshilltarët e udhëtimit, shkruesit, oficerët e informacionit në qendrat e kontaktit ose sportelet e bankave dhe intervistuesit janë vetëm disa nga profesionet që së shpejti nuk do të kryhen më nga njerëzit.
Ndryshimet më të mëdha do t’i ndjejnë punonjësit në administratë, veçanërisht gratë, sepse ato punësohen më shpesh pikërisht në pozita të tilla. Organizata Ndërkombëtare e Punës ka llogaritur se për shkak të kësaj, 21 milionë vende pune të mbajtura aktualisht nga gratë do të zhduken, ndërsa në rastin e burrave, numri është dukshëm më i vogël dhe vlerësohet në nëntë milionë.
OpenAI tashmë po punon për përditësimin e chatbot-it të tij të njohur dhe konkurrenca e ashpër mund të ndikojë që zhvillimi i teknologjisë të jetë edhe më i shpejtë në të ardhmen. Nga ana tjetër, “frena” vjen në formën e rregulloreve për të cilat po flitet gjithnjë e më shumë, sidomos kur bëhet fjalë për të dhënat që përdor inteligjenca artificiale në punën e saj./Katror.info