Xhudistet tona, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova u stolisën që të dyja me medalje të argjenta në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Distria e ka nisur mirë ditën duke fituar ndeshjet një nga një nga raundi i dytë deri në finale në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Pejania fitoi përballjen e parë ndaj Charne Griesel për të kaluar në çerekfinale, ku u takua me belgen Amber Ryheul, të cilën e mposhti pa shumë vështirësi për të kaluar në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale, Distria arriti të mposht me ‘ippon’ gjermanen Mascha Ballhaus për të siguruar finalen e madhe.
Në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë, kampionia jonë u ndesh me Diyora Keldiyorova nga Uzbekistani, të cilën nuk arriti ta mposht.
Kështu, Distria pas kësaj humbje u desh të mjaftohet me medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Tbilisit.
Ajo ka marr 700 pikë olimpike, drejt rrugës së saj për Paris 2024.
Përkundër humbjes në finale, edhe Gjakova ka bërë kthim pozitiv në garat e xhudos. Kampionia olimpike nuk kishte garuar që nga dhjetori.
Nora në finale humbi nga xhudistja e Serbisë, Marica Perishiq. Nora pësoi dënimin e tretë në kohën shtesë.
Në fakt Nora deri më tani ishte plotësisht dominante ndaj xhudistes serbe. Atë e ka mposhtur pesë herë rresht. E ka mposhtur fillimisht në vitin 2019 e më pas tri herë në vitin 2021. Vjet po ashtu e mposhti një herë.
Në raundin e dytë të kategorisë deri 57 kilogramë, Nora të premten e mposhti xhudisten e Guinesë, Mariana Esteves. Ndaj saj fitoi me Ippon. Me Wazzari, në raundin e tretë e mposhti mongolen Ichinkhorloo Munkhtsedev.
Po me Wazzari në çerekfinale e kaloi gjermanen Pauline Stark. Ndërkohë në gjysmëfinale, Nora e mposhti bartësen e parë dhe kampionen e botës nga viti 2021, kanadezen Jessica Klimkait. Kanadezja mori tri dënime dhe kështu Nora Gjakova fitoi me Ippon. Nora ishte bartësja e katërt./Katror.info