Komuna e Drenasit ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit.
Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, së bashku me drejtorët e drejtorive përkatëse, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin e Zjarrfikësve, njofton Komuna.
Sipas njoftimit kjo marrëveshje ka për qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore për zjarrfikësit, duke shfrytëzuar kapacitetet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas. Synimi është të sigurohet kujdes shëndetësor i vazhdueshëm për të përmirësuar mirëqenien fizike dhe shëndetësore të tyre, duke u mundësuar performancë të qëndrueshme dhe efektive në përballimin e sfidave të përditshme.
Lladrovci ka theksuar rëndësinë e kësaj iniciative, duke deklaruar se marrëveshja pasqyron përkushtimin e institucioneve për të përmirësuar kushtet e punës dhe jetesës së atyre që japin një kontribut të çmuar në sigurinë e qytetarëve.
Ky bashkëpunim i ri mes Komunës dhe Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve synon të forcojë partneritetin dhe të ndërtojë një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për komunitetin e Drenasit./Katror.info