Shfaqja e kompanisë arabe “Eagle Hills”, e cila pretendon se do ta kthejë qytetin më jugor malazez, në siç thonë ata, Dubain e ri ka bërë bujë në Mal të Zi – dhe ka nxitur reagime dhe kundërshtime të shumta.
Dhe një i fundit ka ardhur nga Rrjeti i OJQ-ve të Ulqinit që mendon se Qeveria e Malit të Zi duhet t’i marrë parasysh rekomandimet e komunitetit profesional dhe kolegëve nga sektori civil dhe të pranojë konkluzionet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit lidhur me shpalljen e mundshme të qirasë për “Plazhin e Madh” për 99 vjet.
Sipas mediave vendase, përcjell Telegrafi, në një deklaratë, OJQ-të e Ulqinit vlerësojnë se edhe investitori potencial është i vetëdijshëm se pa mbështetjen e komunitetit lokal, një projekt kaq madhështor nuk mund të jetë i suksesshëm.
“Qeveria përgjegjëse duhet ta kuptojë dhe ta pranojë këtë. Siç është edhe fakti që Ulqini është qyteti më i vjetër në bregun lindor të Adriatikut, që ulqinakët kanë luftuar për të drejtat e tyre komunale dhe për mbrojtjen e dinjitetit të tyre gjatë historisë, se ky qytet më tolerant në rajon ka traditën e tij, zakonet dhe mënyra të jetesës. Dhe kjo ka ekzistuar për shekuj”.
Vlerësohet se Qeveria me vendime të nxituara ka vënë në rrezik lirinë, kompetencat dhe zhvillimin, duke rënë dakord pas shpinës së mbarë opinionit ulqinak, por edhe të publikut malazez, projektin e të ashtuquajturit “valorizimi i Plazhit të Madh”.
“Nëse kjo do të ndodhte, në kundërshtim me të gjitha planet urbanistike të vlefshme, Ulqini do të humbte në mënyrë të pakthyeshme perlën e tij më të vlefshme natyrore dhe dëmi nga realizimi i një projekti të tillë për qytetarët e tij do të ishte shumë, shumë më i madh se çdo përfitim”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Reagimi i tyre vjen disa ditë pasi qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini protestuan në këtë qytet në jug të Malit të Zi, duke thënë se “Ulqini nuk është në shitje”. /Katror.info
Përgatiti:
