Dubai, shtëpia e disa prej ndërtesave më të mëdha në botë, do të mirëpresë një tjetër projekt, që këtë herë do të vijë me një funksion të ri, krahas dukjes estetike.
Në një qytet që njihet për ndërtesat dhe projekte gjigande, nuk është habi që dikush tjetër në Dubai, planifikon të ndërtojë një tjetër objekt të kategorisë ‘më i madhi në botë’. Por ndryshe nga qiellgërvishësit e tjerë apo pishinat më të thella, projekti i fundit i propozuar nuk është thjesht një arritje arkitekturore, por është gjithashtu një fitore për ruajtjen e oqeanit.
‘Dubai Reefs’ e konsideron veten si projekti më i madh në botë i restaurimit të oqeanit, nëse ndërtohet, ai do përbëhet nga 77 milje katrorë shkëmb artificial që do të krijojë një shtëpi për më shumë se një miliard korale dhe 100 milionë pemë mangrove. Planet për projektin u njoftuan këtë javë nga URB, një zhvillues i qyteteve të qëndrueshme me bazë në Dubai, dizajnet e mëparshme të të cilit përfshijnë një super autostradë për çiklizëm të brendshëm në Dubai dhe qytete të qëndrueshme në Egjipt dhe Afrikën e Jugut.
“Shëndeti i qyteteve është i lidhur thelbësisht me shëndetin e oqeaneve tona,” tha CEO i URB Baharash Bagherian për CNN. “Ne kemi nevojë për një frymë sipërmarrëse në planifikimin e qyteteve bregdetare.”
Krahas shkëmbinjve nënujorë artificialë, URB ka projektuar objekte banimi lundruese, mikpritëse, të shitjes me pakicë dhe eko-lozha të ndryshme, të cilat thotë se do ta bëjnë vendin një destinacion turistik. Në qendër të projektit do të jetë një institut detar, i përkushtuar për kërkimin e oqeanit dhe mbrojtjen e mjedisit bregdetar të Dubait. Ai do të ofrojë gjithashtu programe arsimore rreth ruajtjes detare.
URB pretendon se zona do të furnizohet me energji 100% nga energjia e rinovueshme, e gjeneruar nga fermat diellore, hidrocentrale dhe me valë, ndërsa fermat e algave të detit dhe gocave do të prodhojnë ushqim.Nëse ndërtimi vazhdon, zhvilluesi pret të përfundojë projektin deri në vitin 2040, por thekson se do të përballet me sfida për të siguruar që nisma të mund të financohet tërësisht privatisht dhe të mund të aksesohet nga njerëz të të gjitha niveleve të të ardhurave./Katror.info