Restorantet franceze kanë shpikur një mënyrë të re për të luftuar mbetjet ushqimore dhe hudhjen e tyre.
Mysafirët që nuk e mbarojnë vaktin e tyre gjobiten me 5 euro dhe ndonëse deri më tani kanë grumbulluar vetëm 45 euro në këtë mënyrë, pronarët thonë se tarifimi i kësaj shtese është çështje parimore dhe se duan të vënë në dukje se mysafirët që nuk e mbarojnë vaktin nuk kanë respekt.
Tani për tani, bëhet fjalë për dy restorante në Francë, të cilat shërbejnë ushqim në tavolinë suedeze – L’Atlantis dhe L’Aigle royal, ku vetë vizitorët përcaktojnë se sa do të hanë dhe e vendosin ushqimin në pjatën e tyre. Është pikërisht kjo mënyrë që të çon në faktin se shumë ushqim mbetet dhe hidhet.
Restoranti i parë, shkruan The Connexion franceze, shërben nga 300 deri në 1000 persona në ditë dhe i dyti nga 180 deri në 600 persona dhe pronarët e tyre thonë se vizitorët janë të informuar paraprakisht për këtë praktikë dhe se shumica nuk kanë asnjë kundërshtim.
“Ne dëshirojmë të ndërgjegjësojmë mysafirët tanë për problemin e mbeturinave ushqimore, si dhe për problemin në rritje të blerjes së ushqimeve të freskëta”, thanë ata për mediat franceze.
Stafi i kuzhinës është gjithashtu i trajnuar për t’i kushtuar vëmendje maksimale reduktimit të sasisë së ushqimeve të shpërdoruara.
Njerëzit janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për problemet mjedisore dhe tani kur vijnë tek ne vërejmë se i kushtojnë rëndësi të veçantë sasisë së ushqimit që fëmijët vendosin në pjatat e tyre”, tha pronari i njërit prej këtyre dy restoranteve.
Meqë ra fjala, në Francë, çdo vit hidhen rreth 10 milionë tonë ushqime, që, e kthyer në para, do të thotë se çdo vit hidhen afërsisht 16 milionë euro. Një studim i bërë në Francë tregoi se sasia e ushqimit të humbur përbën një të tretën e konsumit total të ushqimit në atë vend./Katror.info