Organizata EC Ma Ndryshe ka mbajtur një konferencë gjithëpërfshirëse me hisedarët për të prezantuar gjashtë raporte të thelluara mbi gjendjen e biodiversitetit dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë, me fokus të veçantë në rajonin e Prizrenit, Suharekës dhe Maleve të Sharrit, shkruan Katror.info.
Këto raporte përfaqësojnë një qasje ndërdisiplinore, duke ndërthurur analizën ligjore, planifikimin hapësinor dhe ekspertizën ekologjike me të dhënat shkencore dhe cilësore. Përmes përdorimit të hartave dhe analizave GIS, janë identifikuar zonat më të rrezikuara për biodiversitetin si dhe habitatet kritike me potencial për restaurim.
Hulumtimet bazohen në vlerësime në terren dhe shqyrtime të planeve ekzistuese të menaxhimit, të cilat janë krahasuar me modelet klimatike për të analizuar ndikimin afatgjatë të ndryshimeve klimatike në këto habitate. Raportet synojnë të ofrojnë baza të forta për menaxhimin e qëndrueshëm të natyrës dhe tranzicionin socio-ekologjik të territorit.
Gjatë konferencës, një panel ekspertësh hodhi dritë mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me mbrojtjen e biodiversitetit. Meteorologu Bashkim Kastrati trajtoi zhvillimet klimatike të viteve të fundit në Kosovë, duke theksuar tendencat në rritje të ekstremeve të motit.
Nexhmije Kamberi nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, identifikoi sfidat kryesore që përballon biodiversiteti në vend, përfshirë mungesën e të dhënave, vështirësitë institucionale dhe nevojën për përditësimin e strategjive kombëtare për natyrën.
Entomologu Halil Ibrahimi paraqiti gjetjet e tij mbi kërcënimet që biodiversiteti përballet nga ndryshimet klimatike, degradimi i habitateve dhe prania e specieve të rrezikuara, duke theksuar nevojën për reagim të koordinuar dhe të bazuar në shkencë.
Ndërsa prof. Visar Morina, ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndau një analizë të thelluar mbi kornizën ligjore për mbrojtjen e natyrës, duke evidentuar boshllëqet ekzistuese dhe sfidat e zbatimit efektiv të ligjeve mjedisore në praktikë.
Në përfundim të konferencës, pjesëmarrësit theksuan nevojën urgjente për të shtrirë hulumtime të tilla në gjithë territorin e Kosovës, si dhe për të forcuar përfshirjen e komuniteteve lokale dhe institucioneve përkatëse, në mënyrë që rekomandimet shkencore të përkthehen në politika publike dhe veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit./Katror.info