“Ka nisur si hobi dhe tani më është bërë profesion, e dikur stil jete. Kam nisur kur nuk ka pasur as trepikësh, as semaforë, as kosh me faul. Kam vazhduar në ligat e një shteti që sot as nuk ekziston, dhe në ligat e një shteti që po e themelonim vetë, pa ditur kur ajo ëndërr do të realizohej. Kam luajtur në beton, në sallat e sporteve, në palestrat e shkollave fillore, kam transmetuar Ligën e Kosovës nga sallat e ftohta me telefon statik për radio. Kam transmetuar NBA-n dhe Lojërat Olimpike,” – rrëfen Blerim Vuniqi, ish-basketbollist dhe gazetar sportiv me përvojë të gjatë në Kosovë, në episodin e dytë të dokumentarit “4 Çerekët”.
Në këtë episod, përveç rrëfimit të Vuniqit, vijnë edhe kujtimet e ish-lojtares Elvira Dushku, e cila rikthen kohët e arta me Universitetin e Prishtinës.
“Në atë kohë ata e kanë pasur Adelina Çipën, një nga basketbollistet më të mira të kohërave, dhe ajo e ka mbajtur barrën kryesore, por ka pasur edhe basketbolliste tjera të mira: Advije Berisha, Anduena Rifati. Edhe gjithmonë ndeshjet, vitin e parë ato i kanë fituar trofetë, por më pas ne kemi filluar me dominu. Edhe, e di që kjo ka zgjatur diku dy vjet me Blerim Krasniqin, trajnerin Blerim Krasniqi, pastaj jeni ardhur ju!” – kujton Elvira Dushku.
“Në kohën time, po në kohën time, e fitojmë Kupën dhe fitojmë kampionatet,” shton Blerim Vuniqi.
“Edhe kampionatet, edhe Superkupën, krejt çka ka pasur me fitu. Edhe me gjeneratat e reja, se filluan edhe kampionatet e gjeneratave të reja, pasi përfundoi ky edicion, e luanim edhe për kadetë, edhe për juniorë,” përfundon Dushku.
Dokumentari “4 Çerekët”, i autorit dhe producentit Leart Hoxha, me intervista të realizuara nga Blerim Vuniqi, është prodhim i Katror Media dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Episodin e tretë të dokumentarit mund ta ndiqni këtu: