Esat Bytyqi kishte ardhur si student në Vjenë, Austri, për të studiuar në Fakultetin e Arkitekturës në “Technische Universität”.
Në vitin 2008 ka përfunduar Fakultetin e Arkitekturës, duke mbrojtur temën e diplomës te profesor William Alsop (arkitekt i njohur në botë). Pas përfundimit të universitetit ka punuar për studio të ndryshme të arkitekturës, ku vlen të përmendet studio “Henke Schreieck-Achitekten” që është një studio me renome në Austri.
Si punëtor i kësaj kompanie, Esati ka punuar projektin “Erste Campus”, që ishte një ndër projektet më me vlera arkitektonike në Austri, respektivisht në Vjenë.
Në vitin 2015 ai nisi të punonte si arkitekt i pavarur, për t’u bërë më pas edhe anëtar i Shoqatës së Arkitektëve në Austri (2018).
Po ashtu ishte viti 2015 kur Esati themeloi studion e tij të arkitekturës, e cila tashmë funksionon edhe me pesë arkitektë të tjerë.
“Mund të them se studioja jonë është relativisht e re dhe se funksionon që nga viti 2015, koha kur unë pata filluar të punoja si arkitekt i pavarur. Më 2020 kompanisë iu dha emri ´BEX-Architecture´ dhe tani jemi 5 arkitektë dhe unë si udhëheqës i studios”, ka sqaruar ai.
Konsistenca në punë ka bërë që Esat Bytyqi sot të jetë një arkitekt i konsoliduar në Austri. Ai për albinfo.at ka thënë se sukseset e bëjnë të mendojë gjithnjë se profesioni i tij është i duhuri.
“Kur e shoh që studioja ndryshon për çdo vit pozitivisht, vijnë edhe më shumë kërkesa për projekte, ne profesionalizohemi më shumë, është kënaqësi dhe vazhdoj të besoj se kjo ishte përzgjedhja e duhur për mua”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se deri më tani kanë pasur laramani të projekteve, duke nisur nga shtëpitë, banesat, hotelet e muzetë.
Pse të bashkëpunoni me “BEX-Architecture”?
Kompania bashkëpunon me klientë privat dhe klientë të cilët merren me patundshmëri.
“Efiçenca, ruajtja e ambientit-ekologjia, materialet natyrore, janë disa nga kërkesat globale, të cilat po i praktikojmë ne në projektet tona”, ka thënë Esati.
Ai ka treguar se si arkitekt duhet që po ashtu ta këshillojë klientin, në mënyrë që objekti që projektohet të jetë sa më ekonomik dhe ekologjik.
Vitet e eksperiencës në tregun austriak, ndërtime në pjesë kyçe të Austrisë, Esati thotë se janë pikërisht këto pika ku një klient mund të bazohet për të bashkëpunuar me kompaninë e tij.
“Pas një përvoje të gjatë në profesion, duke llogaritur edukimin e pastaj edhe përvojën si arkitekt i pavarur, e më pas me kompani, referencat e deritanishme nga projektet që kam punuar, janë arsyet pse duhet një klient të zgjedhë studion tonë”, ka thënë ai.
Bashkëpunimi me kompanitë shqiptare
“BEX-Architecture” ka marrëdhënie bashkëpunimi mjaft të mira me shumë kompani shqiptare që funksionojnë në Austri, kryesisht me firma të patundshmërisë që ndërtojnë fillimisht banesa dhe pastaj i shesin apo i japin me qira në Austri.
“Kërkesat e klientëve shqiptarë nuk dallojnë nga ato të austriakëve. Në fakt, deri sa punohet për qytetarët e Austrisë, shoh se kërkesat janë të njëjta, pavarësisht cilit komunitet i takojnë. Më këtë mund të them se bashkëpunimi me firmat shqiptare është i pashmangshëm, marrë parasysh që sot kemi shumë firma shqiptare të cilat janë konkurrente në tregun evropian”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka shtuar se ndjehet krenar që ekzistojnë firma shqiptare të nivelit të lartë si konkurrente në Evropë./Katror.info
Marrë nga Albinfo.