Për klubin më të suksesshëm shqiptar të diasporës, FC Kosovën e Cyrihut, është shkruar e raportuar vazhdimisht nga mediat në gjuhën shqipe. Një vëmendje të konsiderueshme FC Kosova ka marrë edhe nga mediat e mëdha e prestigjioze të Zvicrës, shkruan Albinfo.
“FC Kosova” e Cyrihut ka 10 ekipe futbollistike që garojnë në federatën e futbollit zviceran
FC Kosova është i vetmi klub shqiptar me prejardhje migrante në Zvicër që garon në ligën e parë zvicerane. Është më shumë se një ekip futbolli. FC Kosova është një familje e dytë dhe pjesë e identitetit të anëtarëve dhe fansave të saj. Të shumtë janë tifozët që marrin pjesë në çdo ndeshje me daulle dhe flamuj, duke treguar se janë krenarë për djemtë e ekipit të futbollit që përfaqëson Kosovën. Klubi ka lënë gjurmë në Zvicër për vite me radhë, me numrin më të madh të shikuesve në ligën ku garon. Në këtë verë kanë kaluar 25 vjet nga themelimi i shoqatës shqiptare, e cila ka mbijetuar nëpër periudha dhe përballë sfidave të ndryshme.
FC Kosova Cyrih ekziston që nga viti 1994. Përveç sukseseve sportive, sukses tjetër është se deri më tani ka mbledhur shumë të rinj nga të gjitha trevat shqiptare. Filloi me një ekip në ligën më të ulët të futbollit zviceran dhe pas me tepër se dy dekadash pune ka dhjetë ekipe të të gjitha grupmoshave, me mbi 200 lojtarë të rregullt. Krenaria e veshjes së fanellave kuq e zi është e dukshme tek çdo lojtar, junior dhe senior.
Liga e parë, suksesi më i madh i FC Kosovës
Suksesi më i madh në historinë e klubit është kalimi në Ligën e Parë të Zvicrës, në sezonin 2015-2016 me çfarë u bë klubi i parë i emigrantëve që ka arritur diçka të tillë. Sukses i madh është pastaj kualifikimi në raundin kryesor të Kupës së Zvicrës, pjesëmarrja e dyfishtë në finale në garën e kupës rajonale si dhe fitimi i Kupës së Federatës së Futbollit të Cyrihut të Seniorëve. Suksesi i radhës ishin garat e kupës, ku u përball me klube si Basel, Young Boys, Grasshopper, Zurich etj.
Kush janë drejtuesit e FC Kosovës
Pas një periudhe të gjatë të drejtimit të suksesshëm të klubit nga afaristi Arsim Hyseni dhe me kontributin e çmueshëm të trajnerit Enver Osmani, kryesia e re përbëhet pothuajse tërësisht me emra të rinj – shqiptarë të gjeneratës së dytë, që kanë krijuar karrierën e tyre profesionale në profesione me peshë në ngritjen dhe zhvillimin e një shoqërie.
Albinfo.ch sjell portretet e anëtarëve të kryesisë së FC Kosovës, në mënyrë që të njiheni nga afër me angazhimet në klub dhe në jetën e tyre profesionale./Katror.info