Më 6, 7 dhe 8 nëntor do të mbahet edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK.
Dhe përgatitjet janë në fazën përfundimtare. Këngët janë përzgjedhur, provat orkestrale kanë nisur dhe skena në sallën e Pallatit të Rinisë po merr formë.
Festivali, që synon të krijojë vazhdimësi dhe të ruajë frymën e “Akordeve të Kosovës”, ishte shtyrë për shkak të zgjedhjeve lokale.
Drejtor i përgjithshëm mbetet Rilind Gërvalla, ndërsa drejtimin artistik e mban Florent Boshnjaku.
Skenografia e re, e realizuar nga artistja Vesa Kraja, kombinon elemente tradicionale me ndriçim bashkëkohor dhe përmasa më të mëdha se vitet e kaluara.
Në garë do të jenë 20 këngë për trofeun “Diamanti blu”, ndërsa në program priten bashkëpunime ndërbrezore dhe interpretime “live”.
RTK-ja e sheh festivalin si hap drejt krijimit të një skene kombëtare me standarde ndërkombëtare dhe me synimin e pjesëmarrjes së ardhshme në Eurovision.
Ministria e Kulturës ka ndarë 300 mijë euro për realizimin e këtij edicioni./AP/Katror.info













