Në Ferizaj për herë të parë është organizuar Festivali i Teatrove për Fëmijë, i cili do të mbahet në mars të këtij viti. Qëllimi i këtij organizimi mbetet stimulimi i të gjitha teatrove të qyteteve që të organizojnë shfaqje për fëmijë.
Organizatorët thonë se pos edicionit tradicional të festivalit të teatrove të jetë edhe festivali i teatrove për fëmijë që ka për qëllim nxitjen e prodhimit të shfaqjeve për më të vegjlit.
“Sigurisht që ky festival mund të jetë një stimulim më shumë që të investohet në shfaqjet për fëmijë në teatrot tjera që gjatë ndarjes së buxhetit gjatë planifikimit të prodhimit vjetor të repertorit të planifikojnë gjitha teatrot edhe shfaqje për fëmijë veçanërisht teatrot e qyteteve”, tha për RTK, Besim Ugzmajli, drejtori artistik.
Aktorët që luajnë role në shfaqet për fëmijë mbajtjen e festivalit e shohin si ngjarje shumë të rëndësishme dhe thonë se është kënaqësi e madhe të punosh për fëmijë
“Ky është një lajm fantastik që është edicioni i parë në Kosovë që po mbahet për festival të fëmijëve kanë mundësi fëmijët që përherë të parë me ardhë me një festival dhe që të njoftohen për herë të parë sikur që mëdhenjtë që vijë në festival edhe ata mu ndje shumë të rëndësishëm dhe me ardhë në teatër dhe në ndje atë frymën e festivalit dhe kënaqësinë që ta ofrojnë festivalet”, thekson Dora Xhemajli, aktore.
Kurse aktorja, Dashuri Rexhepi thotë se është knaqësi të punosh me fëmijët. “Nuk ka qejf më të mirë ta gëzosh një fëmijë e sidomos në shfaqje”, tha ajo.
Festivali i Teatrove për Fëmijë në Ferizaj pritet të mbahet nga 4 deri më 7 mars./Katror.info