Kanë filluar përgatitjet për koncertin madhështor në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit të martën, raporton Katror.info.
“Koncerti qendror në këtë përvjetor të veçantë vjen me Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari me pjesëmarrjen e solistëve Krenare Gashi – soprano, Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë”, thuhet në njoftim.
Nga MKRS kanë njoftuar se përveç veprave nga R. Strauss, W. Kilar, K. Aliçkaj, V. Beqiri dhe L.V. Beethoven do të interpretohet edhe premiera e “Exodus” nga Mendi Mengjiqi, dedikuar 25-vjetorit të eksodit të mbi 1 milion Kosovarëve nga forcat Jugosllave dhe Serbe.
Ndërsa linku për rezervimin e biletave publikohet sonte nga ora 19:00 në faqen e Filharmonisë së Kosovës në Facebook./Katror.info