Grupi “Asnjë centë më shumë” ka filluar protestën e tretë me radhë kundër vendimit të ZRRE për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1 perqind.
Fillimisht ky grup i protestuesve janë ndalur para hyrjes së Kuvendit duke vazhduar me pas marshin deri tek Ministria e Ekonomisë, shkruan RTK.
Përmes këtyre protestave ata po kërkojnë pezullimin e vendimit të ZRRE.
Që nga shpallja e propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritje të tarifave të energjisë elektrike për 16.1%, grupi qytetar “Asnjë cent më shumë!” ka nisur një fushatë të organizuar kundërshtimi publik.
Kjo fushatë ka përfshirë diskutime publike, protesta të njëpasnjëshme dhe paralajmërime për masa të mëtejme nëse kërkesat e qytetarëve injorohen.
Sipas përfaqësuesve të grupit, rritja e propozuar është e pajustifikueshme dhe jolegale, pasi nuk është shoqëruar me konsultime me publikun dhe sipas tyre, përfaqëson një vendim arbitrar që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht në një periudhë të rritjes së përgjithshme të çmimeve dhe mungesës së rritjes së pagave.
Më 18 mars, grupi organizoi një diskutim në Termokiss, ku u hodhën idetë për mobilizim më të madh publik dhe u theksua domosdoshmëria për bashkëpunim me organizata të tjera, përfshirë komunitetin e biznesit, i cili gjithashtu është shprehur i shqetësuar për ndikimin e tarifave të reja në prodhim dhe zhvillim ekonomik.
Përfaqësuesi Besnik Shabiu paralajmëroi përshkallëzim të veprimeve, përfshirë bllokim të institucioneve apo rrugëve, në rast se vendimi nuk tërhiqet.
Përveç kësaj, grupi ka paralajmëruar edhe masa ligjore, përfshirë një padi kundër ZRRE-së, si dhe një fushatë të mundshme për bojkot të pagesës së faturave të energjisë nëse nuk ndërmerren masa urgjente për ta anuluar vendimin. /Katror.info
Përgatiti:
