Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga z. Gabriel Di Bella, vizitoi Prishtinën gjatë periudhës 25 shtator – 6 tetor 2023, për diskutime mbi rishikimet e para të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) që Kosova ka me FMN-në.
Pas diskutimeve të mëtejshme në zyrat qendrore të FMN-së, z. Di Bella lëshoi deklaratën në vijim:
“Ekipi i FMN-së dhe autoritetet e Kosovës kanë arritur dakordim në nivel të stafit për përmbylljen e rishikimeve të para të SBA-së së kujdesit paraprak dhe Aranzhimeve në kuadër të RSF-së. Pas aprovimit nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, përmbyllja e rishikimeve të para – që pritet të ndodhë në nëntor – do të sigurojë disponueshmërinë e SDR 20.03 milionë (24.6 milionë euro) në kuadër të SBA-së dhe SDR 30.976 milionë (rreth 38 milionë euro) në kuadër të aranzhimeve të RSF-së. Autoritetet kanë bërë të ditur se, në këtë kohë, nuk planifikojnë tërheqjen e resurseve në dispozicion në kuadër të marrëveshjes SBA. Ekonomia në vitin 2023 parashihet të zgjerohet për 3.5-4 për qind, e nxitur nga investimet më të larta dhe kërkesa e jashtme, veçanërisht e shërbimeve. Me ngadalësimin e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, inflacioni mesatar këtë vit pritet të jetë në nivelin prej 4-5 për qind, ndërsa deficiti i llogarisë rrjedhëse pritet të ngushtohet. Stafi pret që dinamika e rritjes ekonomike të vazhdojë në vitin 2024 dhe që inflacioni të vazhdojë të zbutet. Megjithatë, paqëndrueshmëria globale dhe tensionet gjeopolitike e mbajnë pasigurinë në nivel të ngritur dhe paraqesin rrezik për rritjen ekonomike dhe inflacionin”, thuhet në komunikatën e dërguar nga FMN.
“Autoritetet kanë vazhduar të zbatojnë politika të kujdesshme fiskale dhe financiare dhe kanë shënuar progres të mirë në zbatimin e agjendës së tyre të politikave sipas aranzhimeve të mbështetura nga Fondi. Bilanci fiskal dhe depozitat e qeverisë në Bankën Qendrore (BQK) kanë mbetur mjaftueshëm mbi nivelin e tyre sipas programit gjatë 2023 dhe absorbimi i investimeve publike është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2022; stafi i FMN-së pret që objektivat për fundin e vitit 2023 do të përmbushen. Gjithashtu, cilësia dhe likuiditeti i aseteve të BQK-së është ruajtur në përputhje me objektivat e programit. Autoritetet synojnë ta dërgojnë buxhetin për vitin 2024 në Kuvend në përputhje me objektivat e SBA-së dhe RSF-së, duke përfshirë një ulje të konsiderueshme në ndarjet buxhetore për kontingjenca – nën tavanin e programit. Janë zbatuar të gjitha standardet strukturore të SBA-së për rishikimin dhe është vërejtur një progres i mirë drejt përmbushjes së standardeve strukturore të pritshme për muajt në vijim. Në këtë drejtim, emërimi i guvernatorit të ri të BQK-së dhe normalizimi i strukturave qeverisëse të BQK-së i ka dhënë shtysë të re zbatimit të reformave. Stafi i FMN-së pret që së shpejti do të miratohet rregullorja e re e punës e cila do t’i qartësojë përgjegjësitë e bordit mbikëqyrës të BQK-së në raport me bordet ekzekutive dhe që ligji i ri për bankat të dorëzohet në Kuvend në fillim të vitit 2024. Autoritetet kanë shënuar progres të konsiderueshëm në avancimin e agjendës së politikave klimatike, e mbështetur nga RSF, si dhe i kanë zbatuar të gjitha masat e reformave që kërkohen për këtë rishikim”.
Lansimi e ankandit të parë pilot për prodhim të energjisë diellore me kapacitet prej 100MË dhe dorëzimi në Kuvend i ligjit për burimet e ripërtërishme të energjisë hap rrugën për rritjen e prodhimit të energjisë së pastër përmes aplikimit të ankandeve konkurruese.
Duke përfituar nga mësimet e nxjerra nga ankandi i parë, qeveria ka vendosur që deri në mes të vitit 2023 të iniciojë një tender të hapur, konkurrues dhe transparent për të tërhequr investime private për ndërtimin dhe operimin e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike nga era prej 150 MW.
Kjo do të jetë e para e këtij lloji në Kosovë dhe do të jetë arritje e rëndësishme.
“Për më tepër, autoritetet kanë filluar zbatimin e programeve për të rritur efiçiencën e energjisë në ndërtesa të banimit dhe kanë ndërmarrë hapa drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal, konkurrencës në treg dhe funksionimit përmes zbatimit të veprimeve të favorshme për fillimin e operimit të tregut të energjisë elektrike një ditë përpara (day-ahead) për Kosovën në kontekst të Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike Shqipëri-Kosovë (ALPEX). Për t’i mbrojtur konsumatorët e cenueshëm të energjisë, autoritetet kanë përgatitur një plan gjithëpërfshirës, me financim për këtë në buxhetin e vitit 2024. Në fund, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka finalizuar punimet teknike të nevojshme për instalimin e filtrave në termocentralin Kosova B. Për më tepër, plani buxhetor i KEK-ut për vitin 2024 përfshin një ndarje kontigjente prej 12.5 milionë euro si plotësim mbi financimin e BE-së për instalimin e filtrave të parë të tillë në bllokun B-2, i cili, pas përfundimit të punimeve, do të reduktonte ndjeshëm ndotjen në Prishtinë dhe zonat përreth”./Katror.info