Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Combined Resolve 25”, i cili po zhvillohet në bazën ushtarake amerikane në Hohenfels, Gjermani. Ky ushtrim synon testimin dhe vlerësimin e gatishmërisë së njësive luftarake të NATO-s, si dhe përgatitjen e shteteve partnere për operacione të përbashkëta dhe ndërveprim ushtarak.
“FSK i është bashkuar ushtrimit me ftesën e Ushtrisë Amerikane, duke synuar ngritjen profesionale, forcimin e ndërveprimit me shtetet partnere dhe rritjen e gatishmërisë për të vepruar në një mjedis të kombinuar shumëkombësh. Gjithashtu, pjesëmarrja në “Combined Resolve 25″ ofron mundësinë për shkëmbimin e përvojave me forcat ushtarake të shteteve të NATO-s, dhe partnere pjesëmarrëse në ushtrim”, thuhet në njoftimin e FSK, transmeton Katror.info.
Ky angazhim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit të FSK-së në strukturat euro-atlantike dhe një kontribut i Kosovës në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar./Katror.info