Në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë është hapur edicioni jubilar i Panairit të 25-të të Librit “Prishtina 2025”, ngjarje kjo që përçon mesazhin se libri mbetet themeli i dijes dhe kulturës, shkruan Katror.info.
Ky panair organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe vetë Pallati i Rinisë.
Nën moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, ky edicion bashkon rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, si dhe prezanton mbi 2000 tituj të rinj. Krahas librave, janë planifikuar më shumë se 40 aktivitete kulturore, përfshirë promovime, diskutime dhe përkujtim të figurave të shquara të letërsisë shqiptare.
Në kuadër të panairit do të shënohen disa përvjetorë të rëndësishëm: 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës, si dhe 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit.
Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, theksoi rëndësinë e vazhdueshme të librit në jetën e njeriut:
“Të lexuarit vijon të jetë ushtrimi më i mirë për mendjen tonë, për trupin tonë, për universin që gjithësecili e ka mbrenda vetes.”
Ndërsa Sibel Halimi, drejtoreshë e kulturës në Komunën e Prishtinës, tha:
“Në një epokë ku inteligjenca është bërë sinonim i algoritmeve, sot më kujtohet se inteligjenca vërtetë ka lindur dhe rrjedh nga libri.”
Shkrimtari Fatmir Toci e cilësoi këtë panair si ngjarjen më të madhe letrare në hapësirën shqiptare:
“Prishtina e ndjek hap pas hapi, me risi, nga viti në vit, të gjitha me botime të reja, me botues profesionistë dhe përpjekje të mëdha, me vështirësi që libri i ka akoma në botën shqiptare.”
Panairi do të jetë i hapur deri më 15 qershor, duke ofruar një javë të mbushur me ngjarje letrare, promovime dhe debate për të gjithë dashamirësit e librit dhe kulturës./Katror.info