Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shënuar sot hapjen zyrtare të projektit për shpërndarjen e Kartës Rinore Evropiane në Kosovë, një nismë që u prezantua në ambientet e Bibliotekës Kombëtare nga ministri Hajrulla Çeku.
Sipas njoftimit, ky projekt, i cili zbatohet nga konsorciumi i organizatave BONEVET, Kosova Makers League dhe KosovaIdeas, synon të fuqizojë dhe përkrahë të rinjtë përmes qasjes në mundësi të shumta edukative, kulturore dhe sociale.
Deri tani, mbi 10 mijë të rinj në Kosovë janë pajisur me Kartën Rinore Evropiane, e cila ofrohet falas për të gjithë të rinjtë e moshës 15 deri në 29 vjeç.
Kjo nismë është bërë e mundur pas anëtarësimit të Kosovës në European Youth Card Association (EYCA), organizatë me seli në Bruksel, që përfshin 36 shtete evropiane dhe u ofron këtë kartë mbi 7 milionë të rinjve në të gjithë Evropën.
Përmes Kartës Rinore, të rinjtë kosovarë përfitojnë mijëra zbritje dhe mundësi të reja, jo vetëm brenda vendit por edhe në të gjithë Evropën, duke përfshirë qasje në shërbime kulturore, edukative dhe sociale. /Katror.info
Përgatiti:
